Besnik Muçi vijon punën në Gjykatën Kushtetuese, shkon në zyrën e tij
Besnik Muçi, siç paralajmëroi një ditë më parë, do të vijë punën në Gjykatën Kushtetuese.
Një ditë më parë ai deklaroi se nuk do ta njohë vendimin e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit për shkarkimin e tij nga detyra, prandaj si çdo ditë tjetër, edhe sot ai është paraqitur në Gjykatën Kushtetuese si anëtari i kësaj gjykate.
Të enjten, Kolegji i Posaçëm i Apelimit shkarkoi nga detyra ish-prokurorin e Krimeve të Rënda, i dekretuar nga Presidenti i Republikës si anëtar i Gjykatës Kushtetuese.
Një vit më parë KPK konfirmoi në detyrë Muçin, por vendimi u ankimua nga Komisioneri Publik. Gjatë kohës që KPA po shqyrtonte dosjen presidenti e dekretoi si anëtar i Gjykatës Kushtetuese.
Situata në Gjykatën Kushtetuese sa vjen edhe bëhet më problematike për shkak të pretendimeve që vijon të ketë Arta Vorpsi për karrigen ku është ulur Marsida Xhaferllari dhe tani me shkarkimin e Muçit nga detyra, vendim që nuk pranohet prej tij.