Besnikët e Berishës thirrje Bardhit: Bëji kërkesë Kuvendit, nuk e pranojmë që është jashtë grupit të PD-së

Pasi Kuvendi nuk e përfshiu ish-kryeministrin Sali Berisha si pjesë të grupit parlamentar pas kërkesës së fundit që i bëri Gazment Bardhi, në selinë blu ka debat. ”Besnikët” e Berishës në grupin parlamentar, Tritan Shehu, Luan Baçi dhe Edmond Spaho i kanë kërkuar kreut të grupit që të përsërisë kërkesën për Kuvendin duke përcaktuar qartësisht futjen e Berishës në grup.

Baçi njoftoi deputetët se kishte marrë konfirmim nga Kuvendi që nëse kërkesa e PD vjen me emrin e Berishës, ai do të bëhet fjalë e grupit parlamentar. “Duhet një shkresë e dytë ku të rreshtohen të gjithë emrat e deputetëve të dalë nga lista e 25 prillit 2021 dhe ti dërgohet Kuvendit. Këtë gjë ma konfirmuan edhe shërbimet e Kuvendit, pasi u interesova për këtë gjë! Po të vij kështu më thanë me emra absolutisht që do të jetë në listë”, mësohet të ketë thënë Baçi.

Më i ashpër ka qenë Edmond Spaho, i cili e ka quajtur të papranueshëm lënien e Berishës jashtë grupit. Vetë Gazment Bardhi deklaroi sot për mediat se nuk ka asnjë pengesë nga grupi demokrat që Berisha të jetë pjesë e tij. “Biem dakord që ky është Grupi Parlamentar i PD që ka kryetar Sali Berishën. Çdo çështje tjetër që Rama tenton të provokojë opozitë, do të duhet të përballet me pasojat”, ka thënë Bardhi.

SHKARKO APP