Beteja Berisha-Basha, Patozi: E çon PD në humbje, do të përfundojë kur…

Beteja mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës, për Astrit Patozin, është një ”luftë” që veçse do ta dëmtojë PD-në. Në studion e ”MCN TV”, ai tha se të dy palët nuk kanë të drejtë dhe as nuk kanë asnjë lidhje me parimet.

”Beteja do të përfundojë kur të vritet i pari. Sa më shumë ashpërsohet retorika, aq më shumë shohim dy kampe të ndara. Të dy palët sa më shumë e thellojnë krizën, aq më shumë zgjojnë neverinë e publikut racional. Të dy palët nuk kanë asnjë lidhje me parimet. Sa më shumë kacafyten, aq më shumë kuptojmë pse PD nuk i fiton zgjedhjet”,-u shpreh ish-nënkryetari i PD-së.

Po ashtu Patozi e krahasoi kthesën e Berishës pas përjashtimin me ndryshimin e raporteve mes Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut.

”Berisha ka të drejtë që kërkon të dëgjohet. Por është njëkohësisht edhe një qasje staliniste. Ai e ka cilësuar poliagjent Lulzim Bashën. Në vitin ’81, Hoxha e cilësoi poliagjent Mehmet Shehun. Ai e bëri në kushtet e diktaturës, Berisha po e bën në kushtet e lirisë. Është një dogmë arkaike. Të dy palët nuk dinë ku të kapen”.

Beteja e re në gjirin e PD-së, për Astrit Patozin tregon pse partia i ka humbur disa herë zgjedhjet. ”Kjo betejë ka vetëm një vlerë, të kuptohet që ky nuk është modeli që duhet dhe e çon PD drejt një rimëkëmbjeje. Si mund të kenë sukses këta. Ishin të gjithë bashkë dhe u mundën të dy”.

SHKARKO APP