Beteja për Fierin/ Mehmetaj: Do t’i kthejmë lavdinë këtij qarku. Alibeaj: Jemi në ditën më të zezë. Koçi: Kemi shpirt punëtor

Pas qarkut të Tiranës, i cili ka numrin më të madh të mandateve për deputet, plot 36, i dyti renditet qarku i Fierit, që do të çojë në parlamentin e ardhshëm 16 deputetë. Fieri cilësohet si një bastion i socialisteve, të cilët marrin aty një numër të konsiderueshëm deputetësh, duke i dhënë mundësi PS-së të krijojë edhe diferencën në mandate.

Qëllimi i të majtëve është të marrin nga ky qark 10 mandatet e 2017-ës. Por PD, e LSI, nuk i ndikon rezultati i 2017-ës, pasi siç thonë, ky qark këtë herë do të votojë ndryshimin, sepse sipas Alibeajt dhe Mehmetajt, qytetarët janë lodhur me dështimet e rilindjes.

I dyti i listës së PS, në këtë qark, Petro Koçi, thotë se pika e fortë e socialistëve në këto zgjedhje është shpirti punëtor i saj. Drejtuesi politik i PD, Enkelejd Alibeaj shprehet se pikë e fortë për demokratët është programi që do të implementojë pas 25 prillit. Drejtuesja politike e LSI, Kejdi Mehmetaj, shprehet se LSI në këto zgjedhje ka për pikë të fortë programin e saj dhe listën e kandidatëve për deputet.

Cila është oferta e partive politike për qarkun e Fierit? A ka punuar siç duhet Partia Socialiste dhe cilat janë rezultatet pas 8 vitesh qeverisje? Sipas Enkelejd Alibeaj problem më i madh në këtë qark është papunësia, largimi i rinisë dhe rënia e industrisë së naftës. Petro Koçi i PS, thotë se rilindja urbane është një garanci se kjo parti punon dhe ka rezultate konkrete. Ndërsa Kejdi Mehmetaj thotë se LSI ka një projekt konkret për të ndërhyrë në sektorin e naftës dhe për t’i kthyer përsëri lavdinë këtij qarku.

Tre kandidatet shprehin vlerësimet e tyre për kryetarët e partive respektive.

Beteja zgjedhore e 25 prillit do të jetë e fortë mes pozitës dhe opozitës, e kjo kuptohet edhe nga deklaratat që kandidatët për deputet bëjnë për njëri-tjetrin.
A do të kandidojnë për një mandat tjetër pas 4 vitesh, Koçi, Alibeaj dhe Mehmetaj, nëse ata s’do i mbajnë premtimet që u kanë dhënë qytetarëve në këto zgjedhje?

Fieri edhe pse një bastion i së majtës premton betejë të fortë në 25 prill, ku të gjitha forcat politike kërkojnë të marrin maksimumin. A do t’i ruajë PS, 10 mandatet në këtë qark? Apo qytetarët do t’i japin votëbesim opozitës? Kjo mbetet për t’u parë në 25 prill, ku banorë të Divjakës, Fierit, Lushnjës, Mallakastrës, Patosit dhe Roskovecit, do të vendosin me votë se kush do të jenë të preferuarit e tyre, që do të sigurojnë për këtë qark më shumë punësim e më pak varfëri.

Beteja për Fierin/Koçi:Kemi shpirt punëtor.Alibeaj dhe Mehmetaj: Qytetarët janë lodhur me dështimet

SHKARKO APP