Betimi i gjyqtarëve, Presidenti Meta: Atentat ndaj Kushtetutës, përpjekje për grusht shteti
Në konferencën e jashtëzakonshme për mediat, Presidenti Ilir Meta, ka reaguar ashpër sa i takon ligjit të ri për betimin e gjyqtarëve, që Kuvendi miratoi javën e kaluar.
Kreu i shtetit përsëriti qëndrimin e tij se qeveria po tenton që të bëjë grusht shteti, ndërsa theksoi po tentohet kontrolli mafioz për të pasur në dorë Gjykatën Kushtetuese.
“Bazuar në kërkesën e Kuvendit dhe më pas të presidentit, Komisioni i Venecias i konfirmoi Kuvendit se në 13-14 shkurt do të vinte një delegacion. Kuvendi i Shqipërisë në mënyrë të pabesë, të pamoralshme, ndërkohë që anëtarët e Venecias mbërritën në Tiranë, në 12 shkurt votuan në seancën plenare, në errësirë të plotë ligjit për disa ndryshime mbi emërimin e gjyqtarëve, duke ia hequr të drejtën e betimit para Presidentit.
Dhunohet neni 129 i Kushtetutës dhe parimet themelore të Kushtetutës. Votimi i këtij ligji është atentat i rëndë i mazhorancës ndaj Kushtetues, me qëllimin e vetëm kontrollin mafioz të qeverisë në Gjykatën Kushtetuese. Ky proces kërkon të nxi integritetin e punonjësve të gjykatës.
Kjo s’do të pranohet kurrë nga presidenti. Ky nxitim, është fyerje që i bëhet organizmave, Komisionit të Venecias, ambasadave, ambasadorëve, që dolën në krah të mazhorancës, për të kërkuar thirrjen e Komisionit të Venecias, për këtë çështje aq e thjesht sa dhe vet abetarja. Me këtë krim, mazhoranca ka zhvleftësuar rëndësinë e tyre (Komisionit të Venecias). I kërkoj ndjesë Komisionit të Venecias që u keqpërdor nga mazhoranca në funksion të fillimit të realizimit të grushtit të shtetit.
Republika po përjeton gjendjen e rëndë të kapjes së shtetit. Unë konfirmoj se do të marr pjesë në seancën plenare të komisionit të Venecias ku do t’i njoh të gjithë të pranishmit me fakte dhe më të rënda të përpjekjes për të realizuar një grusht shteti në këtë vend. Rilindja është teatri dhe estrada nr. 1 e këtij shteti dhe e këtij populli”,- deklaroi kreu i shtetit.