Biberaj: 2020-a, viti i dështimeve spektakolare të qeverisë. Më 25 prill shqiptarët duhet të ndahen nga antishteti dhe antishqiptari Edi Rama
Bisedoi: Herion Mesi
“Zoti i bekoftë shqiptarët në misionin e tyre të 25 prillit për t’i dhënë fund antishtetit dhe barbarisë së sektit shkatërrues të rilindjes dhe liderit të tyre shpirtëror dhe urdhëruesit, Mullah Omarit shqiptar, Edi Rama!” Është ky urimi që vjen nga ish-deputeti i Partisë Demokratike Aleksandër Biberaj, i cili në një intervistë për “Koha Jonë” jep një panoramë tragjike dhe të rëndë të Shqipërisë gjatë këtij viti të shkaktuar nga keqqeverisja e vendit nga Edi Rama. Biberaj teksa bën bilancin e këtij viti po lëmë pas shprehet se shqiptarët më shumë se tërmeti i vitit të kaluar dhe pandemia e koronavirusit, janë goditur nga vetë kryeministri Edi Rama, i cili sipas tij ka ngritur një qeveri të krimit dhe korrupsionit, një qeveri që punon vetëm për disa oligarkë, një qeveri të dhunës, arrogancës dhe prepotencës, që nga njëra anë vetëm vjedh natë e ditë pa njohur asnjë limit, ndërsa nga ana tjetër gënjen, mashtron, manipulon dhe bën vetëm propagandë fallco, boshe, bejte të dala boje, që s’i beson askush më në Shqipëri. Ish-ligjvënësi i PD-së vlerëson nga ana tjetër se emërimi nga ana e Presidentit të Republikës së anëtarit të 6-të e bën Gjykatën Kushtetuese funksionale, një fitore kjo e demokracisë dhe e shtetit të së drejtës kundër antishtetit dhe barbarisë në pushtet. “Presidenti Ilir Meta tregoi lidership, përgjegjshmëri dhe ndjenjë të lartë përgjegjësie si kryetar i shtetit, duke treguar edhe një herë se kush po e pengonte prej 3 vitesh krijimin e Gjykatës Kushtetuese?!”, shprehet ish-ligjvënësi demokrat Aleksandër Biberaj.
Intervista
- Biberaj, meqë kjo intervistë na gjen në prag të ndërrimit të viteve, si ishte 2020-ta dhe si i gjen 2021-shi shqiptarët?
Viti 2020 ishte një katastrofë totale, pasojat e tërmeteve të vitit 2019 që na ndoqën gjatë gjithë vitit 2020, pasi janë shumë e shumë familje akoma që flenë në qiell të hapur dhe në rastin më të mirë në çadra, ndërkohë që na goditi shumë edhe pandemia. Por, mbi të gjitha, na ka goditur qeveria e Edi Ramës, një qeveri e krimit dhe korrupsionit, një qeveri që punon vetëm për disa oligarkë, një qeveri e dhunës, arrogancës dhe prepotencës, që nga njëra anë vetëm vjedh natë e ditë pa njohur asnjë limit, ndërsa nga ana tjetër gënjen, mashtron, manipulon dhe bën vetëm propagandë fallco, boshe, bejte të dala boje, që s’i han dhe beson askush më në Shqipëri. Qeverisja aktuale dështoi totalisht në menaxhimin e pasojave të tërmetit dhe të pandemisë, duke treguar një paaftësi, profanizëm, injorancë dhe dashakeqësi totale ndaj popullit të vet. Në fushën ndërkombëtare Shqipëria humbi përsëri mundësinë për të hapur negociatat për anëtarësim në BE për arsye të mos-plotësimit të kushteve dhe përkeqësimit të demokracisë, të shtetit të së drejtës, si dhe lirive dhe të drejtave themelore të njeriut. Diplomacia e Edi Ramës kishte një vit dështimesh spektakolare në raport me Kosovën, pasi lançoi projektin filo-serb për minishengenin ballkanik, ndërkohë që mbështeti edhe ndarjen e Kosovës për favore të Serbisë. “Lideri global” gjeneroi konflikt si kurrë më parë me të gjithë lidershipin politik në Kosovë, që nga heroi i luftës Ramush Hardinaj, vazhdoi me Profesor Isa Mustafën dhe Albin Kurtin, për ta mbyllur vitin me zonjën e nderuar, intelektualen dhe patrioten Vjosa Osmani, me bojktotin ndaj së cilës në Parlament tregoi se nuk ka ndryshuar aspak nga të qenurit një rrugaç ordiner politik dhe diplomatik, kokë e këmbë në shërbim të Serbisë. I mësuar gjithë jetën e tij me “shërbëtore kurtizane” i ngeci sharra në gozhdë me “Shote Galicën” e Kosovës, që ia numëroi të gjitha poshtërsitë dhe tradhtitë në “Kuvendin e Burrave”, saqë Edi Rama nuk pati as burrninë, as xhentilesën, as fisnikërinë më të vogël që t’i dilte ballë për ballë, por e sulmoi pas shpine vetë bashkë me disa hiena të tij, pas disa ditësh nga frëngjitë e mediave të veta, tamam siç bëjnë serbët, me sa duket këtë leksion ia ka dhënë “vëllai” i tij Vuçiç. Ndërkohë që është në luftë me të gjithë drejtuesit politikë në Kosovë vazhdon një dashuri të madhe më Aleksandër Vuçiçin, duke dalë hapur kundër interesave dhe çështjes sonë kombëtare. Të njëjtën politikë kapitulluese ndoqi edhe me Greqinë, pasi i pranoi kryeministrit Micotaqis pretendimin për 12 milje në ndarjen e detit, gjë që do të na i sillte grekët deri tek Sheshi i Flamurit në Vlorë, ndërkohë që e çoi çështjen në gjykatat ndërkombëtare ku e ka humbjen e garantuar, siç ka ndodhur me të gjitha çështjet e humbura me vlerë qindra milionë euro që kur erdhi në pushtet në vitin 2013. Unë besoj se vlonjatët nuk do ta pranojnë kurrë këtë gjë, por edhe nëse e pranojnë ata nuk do ta pranojmë ne shqiptarët e tjerë, pasi në Shqipëri fatmirësisht nuk është zhdukur fara e Ismail Qemalit, Isa Boletini, apo Avni Rrustemit, pavarësisht Esatëve që i kemi sot në pushtet, koha nuk punon më për ta, kjo është me se e sigurtë. Në vend ka pllakosur papunësia dhe varfëria vazhdon të rritet në mënyrë galopante , ndërkohë që hemorragjia e emigrimit vazhdon të rritet me ritme dhe shifra të frikshme. Në pak fjalë kjo është situata në këtë fund-vit 2020 që është edhe viti i fundit i kësaj qeverie makabre nga e cila po vuan Shqipëria që nga viti 2013. Por shpëtimi do të jetë viti 2021 dhe konkretisht zgjedhjet e 25 Prillit, nëpërmjet të cilave Shqipëria dhe shqiptarët duhet të ndahen nga krimi, korrupsioni, dhuna, abuzivizmi, anti-shqiptarizmi dhe anti-populizmi i sektit kriminal të rilindjes. Nuk do të ketë mision më fisnik, patriotik, civil dhe qytetar sesa bashkimi i të gjithë shqiptarëve pa dallim feje, krahine dhe ideje, kundër kësaj të keqeje ë ka pllakosur vendin tonë, për të shpëtuar kombin dhe vendin tonë dhe për të sjellë një ndryshim të madh që do t’i hapë Shqipërisë një faqe të re në historinë e saj të kohëve modern post-koministe.
Ju keni reaguar ndër të parët pak ditë më parë për dekretin e Presidentit për emërimin e anëtarit të gjashtë të Gjykatës Kushtetuese, çdo do të thotë për vendin?
Emërimi nga ana e Presidentit të Republikës së anëtarit të 6-të e bën Gjykatën Kushtetuese funksionale, një fitore kjo e demokracisë dhe e shtetit të së drejtës kundër antishtetit dhe barbarisë në pushtet. Presidenti Ilir Meta tregoi lidership, përgjegjshmëri dhe ndjenjë të lartë përgjegjësie si kryetar i shtetit, duke treguar edhe një herë se kush po e pengonte prej 3 vitesh krijimin e Gjykatës Kushtetuese?! Natyrisht që mbetet problem vendim-marrja, por kryesorja është funksionimi i Gjykatës Kushtetuese, ku edhe Ambasadorja Amerikane Yuri Kim ka një meritë të padiskutueshme. Një ndër vendimet e para që duhet të shqyrtojë Gjykata Kushtetuese është edhe përsëritja e zgjedhjeve moniste të 30 qershorit 2019, ku u shkelën të gjitha të drejtat dhe liritë kushtetuese, si dhe të gjitha konventat ndërkombëtare lidhur me demokracinë, pluralizmin politik, shtetin e së drejtës si dhe liritë dhe të drejtat themelore të njeriut.
Sipas analizave shqetësuese të publikuara së fundmi nga IFIMES, mazhoranca qeverisëse ka rreth 2 miliardë euro gati për t’i përdorur për zgjedhjet e ardhshme. Sa të kërcënuar ndiheni ju si opozitë për këtë fakt? Dhe sipas jush çfarë duhet të bëjë opozita për të parandaluar shit-blerjen e votave?
Nuk ka njeri në botë që e shmang dot rrotacionin dhe ndryshimin e madh të 25 prillit, paratë e tyre të krimit as nuk do të kenë shans t’i përdorin dhe nëse do të tentojnë do të përballen me një reagim të pa imagjinueshëm popullor, saqë nuk do të gjejnë vrimë miu ku të futen hajdutët dhe kriminelët e pushtetit aktual. Pakënaqësia ka arritur kulmin, thika ka prekur palcën, qytetarët po i mbajmë ne që të mos shkatërrojnë dhe djegin çfarë t’i dalë përpara që ka të bëjë me këtë bandë qeverisëse, aq keq dhe rëndë është situate. Këtë horrat e pushtetit e dinë fare mirë, pasi ata janë si ata minjtë e vaporëve që e ndjejnë të parët tërmetin e humbjes së pushtetit, dhe kanë filluar që ta ndjejnë, pasi kanë filluar që të çojnë mesazhe pendimi dhe tërheqje, vetëm e vetëm që të shpëtojnë, por i’u garantoj se ata nuk kanë shpëtim për çfarë i kanë bërë këtij populli për 8 vjet, sistemi i drejtësisë do t’i godasë pa pikë mëshirë pasi i kanë bërë një dëm të parikuperueshëm vendit tonë, më keq se të kishin qenë pushtues.
Pse duhet që shqiptarët ta votojnë Opozitën dhe jo mazhorancën e udhëhequr nga Edi Rama që kërkon mandatin e tretë qeverisës?
Ka 1001 arsye se përse shqiptarët duhet të votojnë opozitën dhe jo sektin kriminal të rilindjes, dhe duhet një libër i tërë i krimit të tyre të zi për t’i shpjeguar të gjitha, por arsyeja kryesore është që shqiptarët nuk do të votojnë kundër interesit të tyre për disa oligarkë mafiozë, nuk do të votojnë për një klikë të korruptuar dhe kriminale që po shkatërron vendin, kombin, popullin dhe pasuritë tona, por do të votojnë për një alternativë që mbron interesat e tyre dhe për një grupim politik që ka alternativën më të mirë në favor të popullit, ka qytetari, edukatë, respekt për njerëzit dhe që kurrë nuk do të bëhen shtypës dhe zuzarë për popullin si këta kollovarët e rilindjes, pro do të jenë shërbëtorë të popullit tonë tepër të lodhur nga ky tranzicion i tmerrshëm 30-vjeçar dhe sjelljet barbare të qeverive ndaj tyre. Gjërat janë shumë të thjeshta, nëse shqiptarët duan akoma që të bëhen skllevër të horrave në pushtet do të ndjekin Edi Ramën, nëse duan që të jenë qytetarë të lirë, të barabartë në mes të barabartëve, me punë, drejtësi dhe prona, duhet që modelin anti-shtet të Edi Ramës ta hedhin në kosh plehrash, dhe të përkrahin modelin e Lulzim Bashës që është model komplet i kundërt me Edi Ramën në çdo drejtim dhe pikëpamje. Zoti i bekoftë shqiptarët në misionin e tyre të 25 prillit për t’i dhënë fund antishtetit dhe barbarisë së sektit shkatërrues të rilindjes dhe liderit të tyre shpirtëror dhe urdhëruesit, Mullah Omarit shqiptar, Edi Rama!