Biberaj: KQZ të shkrihet, celulë e Rilindjes, do rikthehemi me protesta nëse nuk arrijmë marrëveshje

Mosarritja e konsensusit mes palëve politike gjatë takimit të djeshëm për reformën zgjedhore ka vendosur në lëvizje dhe ndërkombëtarët. Këta të fundit po mundohen për të bindur palët që të bien në një dakordësi për pikat e paraqitura në takimet e Këshillit Politik.

Anëtari i kryesisë së PD, Aleksandër Biberaj shprehet për Ora Neës se mungon vullneti politik nga mazhoranca.

Biberaj: Nuk janë as vështirësi teknike dhe teknologjike. Është thjeshtë çështje vullneti. Kërkesat tona kanë qenë konsistente dhe të realizueshme. Në procesin zgjedhor mos të futemi me këtë qeveri që është e inkriminuar. Komisionet të kenë përfaqësues të opozitës, sepse është thjeshtë t’i quash komisione civile, por i emëron mazhoranca dhe ata do i vendosin anëtarët e vetë. Edhe policia mos të jetë kjo pasi dhe kjo është e inkrminuar. Kemi një KQZ që është një komitet qëndror i zgjedhjeve. Të kemi një përfaqësues politik pasi nuk mund të bëhet pa një të tillë. Kërkojmë që të jemi të barabartë në zgjedhje, barazi aq sa mund të arrijmë. Ne i respektojmë rekomandimet e OHDIR. Ne jemi të interesuar të mbrojmë interesin e qytetarit shqiptar. Është regjistruar në raportet e OHDIR që rezultatet e vitit 2017 nuk janë të sakta. Nuk kërkojmë asnjë lloj privilegji. Kur të vijë momenti i zgjedhjes të jemi të gjithë të barabartë. Por mazhorancës nuk i intereson një gjë e tillë. 

Ndërkohë një nga kërkesat e opozitës ka qenë dhe shkrirja e KQZ-së të cilën Biberaj e konsideron si celulë të Rilindjes.

Sipas tij, brenda saj duhet të ketë dhe përfaqësues nga opozita.

Biberaj: Komiteti qëndror i zgjedhjes duhet të shkrihet sepse ajo është celulë e Rilindjes. Duhet të jetë komision pluralist dhe i besueshëm. Ne kemi parë që kolegjet e ankimimit kanë qenë nën presionin e qeverisë. Pse mos të shkojë çështja në Gjykatë Kushtetuese. Ne po shohim në Shqipëri që në 30 vite kemi probleme me zgjedhjet. Ne po shohim që nuk funksionojnë institucionet. Këto janë kërkesat e të gjithë popullit shqiptar jo vetëm e jona. Nuk ka pengesa teknike dhe as pengesa buxhetore. Nuk mund ta lëmë Shqipërinë peng në duart e një bande.

Biberaj shprehet se të gjitha propozimet e opozitës për ndryshimin e reformës zgjedhore janë probleme të vjetra që i kanë parashtruar edhe më parë.

Ai paralajmëron sërish rikthimin e protestave qytetare nëse nuk do të ketë një konsensus reciprok midis palëve për zgjedhoren.

Biberaj: Këto janë probleme të vjetra dhe që dihen. Të mos bësh identifikim biometrik ti i ke vjedhur zgjedhjet që në fillim. Mendoj se nuk janë të reja dhe të ekzagjeruara. Çështja e qeverisë kujdestare kemi kohë që e kërkojmë dhe e ka bërë Zoran Zaev. Ne nuk biem dakord me asnjë tendencë të qeverisë aktuale për të manipuluar procesin zgjedhor. Përndryshe ne do t’i kthehemi popullit të rikthehemi me protesta.

SHKARKO APP