Biberaj: Të gjitha mundësitë që PD dhe aleatët të marrin një rezultat të thellë fitues
Presidenti Ilir meta dekretoi sot 25 prillin, si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, ndërsa opozita kishte propozuar 18 prillin gjatë konsultimeve.
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj, thotë se një javë nuk përbën ndryshim kur vendi ka 8 vjet keqqeverisje. Sipas tij i vetmi shpëtim do të kishin qenë zgjedhjet e parakohshme.
Biberaj: Normale është data 25 prill, mund të ishte 18. Nuk përbën diferencë një javë kur Shqipëria ka 8 vjet që vuan nga një keqqeverisje e tmerrshme. Mirë do të ishte të kishim pasur zgjedhje të parakohshme në mënyrë që të kishim një model tjetëer qeverisje.
Për Ora News, ai thotë se PD dhe aleatët e saj janë gati për të korrur një fitore bindëse në prill 2021.
Biberaj: Patjetër që jemi gati, kemi filluar fushatën që në qershor. Kemi mbaruar fazën e propozimeve për deputetë dhe kryetarë bashkish, Komisioni i Vlerësimeve ka mbaruar fazën e parë dhe nga një listë me mbi 4000 kandidatë, kemi një listë me 1000 kandidatë. Selektimi vazhdon, të gjithë strukturat janë të angazhaura, kam pasur mundësi të bëj fushatë në Durrës dhe Tiranë dhe mendoj se ka një motivim të jashtëzakonshëm sepse qytetarët shqiptarë janë të lodhur me korrupsionin qeverisës, varfërinë dhe papunësinë.
I pyetur nëse përzgjedhja e kandidatëve mund të shkaktojë probleme për PD-në ai pati një mesazh për të gjithë kolegët.
Biberaj: Në çdo rast do të ketë pakënaqësi, grupi parlamentar është një numër i kufizuar. Por u bëj thirrje të gjithë kolegëve që janë në listë, edhe atyre që nuk e kanë kaluar fazën e parë, të tregojnë njëfarë durimi dhe mirëkuptimi. Të gjithë do të jenë të vlerësuar dhe pjesë e administratës publike në qeverinë e PD dhe aleatëve të tyre. Do të kemi dhe zgjedhjet lokale, duhen tejkaluar këto hatërmbetjet dhe të shohim më larg për të përmbysur këtë qeverisje të inkriminuar dhe vendosur një model të ri qeverisës. Të gjithë kolegët duhet të shohin interesin kombëtar në radhë të parë.
Demokratët janë mbrapa PS e LSI për caktimin e drejtuesve të qarqeve, por Biberaj thotë se koha është e mjaftueshme dhe se ky proces do të mbyllet shumë shpejt.
Biberaj: Punë javësh edhe PD do të ketë drejtuesit e qarqeve, nuk është vonë pasi jemi rreth 8 muaj para zgjedhjeve. Kryesorja është se jemi të përgatitur për të fituar zgjedhjet e ardhshme elektorale.Janë të gjitha mundësitë për të pasur një rezultat të thellë fitues.
Shqetësim nuk ka as për mundësinë e heqjes së koalicioneve zgjedhore.
Biberaj: Ka qenë një zhvillim nonsens por këto janë “grahmat” e fundit të një qeverisje totalisht të dështuar. Nuk mendoj se do të përbëjë ndonjë problem të madh çështja e koalicioneve. PD dhe partitë e opozitës kanë nxjerrë mësime nga e kaluara dhe jemi të vendosur për implementuar një model të ri qeverisës. Sfida kryesore mbetet ekonomia.
Biberaj përjashtoi mundësinë për mungesë besimi mes PD dhe aleatëve.
Biberaj: Nuk ka hapësirë dhe as vend për mosbesim sepse në opozitë nuk ke se çfarë ndan përveç vuajtjeve dhe sakrificave. Nuk shoh asnjë problem në radhët e opozitës.
Lidhur me Këshillin Politik ai tha se PD dhe opozita do të vazhdojnë të japin kontributin e tyre.
Biberaj: PD dhe aleatët do të vazhdojnë të japin kontributin, është shumë e rëndësishme të përgatitet një klimë e qetë, paqësore dhe mirëbesimi për zgjedhjet. Ne jemi të bindur se do të fitojmë zgjedhjet sepse kemi kauzën, lidershipin, kandidatë dhe një program realist që po punohet. Nuk na tremb qeverisja e korruptuar, as bandat dhe as kriminelët. Janë të frikësuar dhe në minorancë.