Biberaj: Të radikalizohen protestat, opozita e gatshme për zgjedhje

Ulja në tryezë me PS për Reformën Zgjedhore e cila duhet të mbyllet me 15 mars, nuk do të thotë që opozita të flejë dhe të presë se kur i teket kryeministrit për të shkuar në zgjedhje politike.

Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Aleksandër Biberaj shprehu qëndrimin e tij për radikalizim të lëvizjes qytetare.

I ftuar në studion e lajmeve në Ora News, Biberaj tha se mazhoranca është e kapur nga krimi dhe korrupsioni, ndaj nëse nuk largohet më të mirë do largohet me protesta.

“Unë jam për radikalizim të lëvizjes qytetare, radikalizim të protestave sepse përndryshe mazhoranca nuk merr vesh. Është një mazhorancë e zhytur në krim, në korrupsion, është një mazhorancë e kapur që realisht është në minorancë sepse rezultatet e 30 qershorit e treguan këtë. Nëse nuk merr vesh në mënyrë demokratike le të marrë vesh në një mënyrë mëse demokratike që janë protestat, revoltat, mosbindja e qytetarëve civile”, u shpreh Aleksandër Biberaj.

Ai tha se opozita është e gatshme për zgjedhje të parakohshme, ndaj sipas tij edhe reformës zgjedhore i është lënë një afat jo më i gjatë se 2 muaj, pasi duhet të përgatiten për zgjedhje.

“Është menduar një afat dy mujor, mund të ishte më i shkurtër jo më i gjatë në mënyrë që ne të përgatitemi për zgjedhje. Ne kemi bërë takime, jemi aktiv në gjithë territorin dhe jemi të gatshëm të përballojmë çdo sfidë elektorale sado e afërt të jetë ajko dhe për të fituar”, deklaroi Aleksandër Biberaj.

Por zyrtari demokrat i mbetet bindjes së tij se me Rama merr vesh vetëm gjuhën e forcës, pra me protesta të cilat duhen të jenë radikale kësaj radhe.

SHKARKO APP