Biblioteka e Kuvendit pasurohet me fondin intelektual të Prof. Dr. Servet Pëllumbit
Në ambientet e Bibliotekës së Kuvendit të Shqipërisë u zhvillua sot një ceremoni e veçantë për dorëzimin e një fondi librash të dhuruar nga ish-Kryetari i Kuvendit, Prof. Dr. Servet Pëllumbi, një nga figurat më përfaqësuese të jetës parlamentare, akademike dhe intelektuale shqiptare të pas viteve ’90.
Në përmbushje të vullnetit dhe dëshirës së tij për të kontribuar në trashëgiminë institucionale dhe kulturore, veprat u dorëzuan simbolikisht në emër të tij nga deputeti Arben Pëllumbi, i biri i akademikut dhe politikanit të njohur. Në fjalën e tij, z. Pëllumbi theksoi larminë e titujve të dhuruar, që përfshijnë vepra filozofike, historike, letrare, si dhe kujtime personale dhe dëshmi të vyera nga jeta parlamentare e pas viteve të tranzicionit politik në Shqipëri.
Ai veçoi si një vepër të veçantë “Fjalorin filozofik”, të cilin e cilësoi si një gur themeli për studiuesit dhe të rinjtë e botës akademike që kërkojnë të thellojnë kuptimin mbi konceptet dhe zhvillimin e mendimit filozofik në shqip.
Të pranishëm në ceremoni ishin përfaqësues të Kuvendit, drejtues të strukturave parlamentare dhe figura të botës akademike. Akademik Kosta Barjaba, këshilltar i Kryetares së Kuvendit, vlerësoi figurën e Prof. Dr. Pëllumbit si një ndër kontribuuesit më të spikatur në jetën politike dhe mendimin demokratik shqiptar. Sipas tij, vepra e Pëllumbit përfaqëson një lidhje të fuqishme midis praktikës parlamentare dhe reflektimit filozofik mbi shtetin dhe shoqërinë shqiptare.
Nga ana e saj, znj. Lidra Bushati, Drejtoreshë e Shërbimit të Botimeve dhe Bibliotekës Parlamentare, nënvizoi rëndësinë simbolike dhe kulturore të kësaj dhurate. “Sot nuk pranojmë thjesht disa libra. Sot mirëpresim një pjesë të trashëgimisë intelektuale të një personaliteti që ka ndikuar në mënyrë të qenësishme në jetën politike dhe akademike të vendit,” tha ajo.
Albert Vataj
Prof. Dr. Servet Pëllumbi, autor, pedagog, filozof dhe politikan me një karrierë të gjatë, mbetet një zë i rëndësishëm në historinë e mendimit politik shqiptar. Vepra e tij ndërthur përvojën personale me analiza teorike të thella mbi demokracinë, tranzicionin, etikën publike dhe funksionimin e institucioneve. Në thelb, ajo është jo vetëm një pasqyrë e një epoke të vështirë, por edhe një udhërrëfyes për ndërtimin e një shoqërie demokratike, të drejtë dhe funksionale.
Kjo iniciativë pasuron fondin e Bibliotekës së Kuvendit dhe njëherazi shërben si akt simbolik i ruajtjes dhe përçimit të dijes në institucionin më të lartë përfaqësues të vendit.
KOHA JONË SONDAZH

