Binjakëzim i FBI-së me Byronë Kombëtare të Hetimit
Fjala e Kryeministrit Edi Rama në seancën e sotme parlamentare:
Ky është një tjetër moment fatkeq i parlamentit, si çdo të enjte. Kur diskutohet një çështje me kaq rëndësi dhe me impakt kaq të madh tek qytetarët siç është Reforma Administrative Teritoriale dhe Kodi Zgjedhor, që lidhet drejtpërdrejt me të, dhe kur PD nuk ka absolutisht asnjë gjë për të thënë. As për këtë as për çështje të tjera që janë të lidhura drejtpërdrejtë me çka qytetarët presin dhe me siguri çka ata demokratë që kanë mbetur, ata “300 mijë” që ishin në bulevard herën e kaluar duan të dinë kush është opinioni i PD lidhur me këto çështje. Çfarë PD shikon ndryshe, si PD mendon se ajo që shikon ndryshe mund të bëhet ndryshe. Pra, duan nga ata që i kanë zgjedhur për t’i përfaqësuar se si Shqipëria mund të shkojë më mire, pasi ata kanë të drejtë që të jenë në opozitë me ne. Por, kjo nuk ndodh asnjëherë, sepse PD nuk ka lidhje fare me atë që e bën një parti demokratike, një parti funksionale, një parti përfaqësuese, që është lidershipi. Këta vazhdojnë të jenë një trup pa kokë, që shfaqet në formën e dy kokave të prera dhe që përveç kësaj nuk kanë asnjë program, nuk kanë asnjë lloj ideje sesi gjërat mund të ndryshojnë dhe pa folur pastaj se nuk kanë asnjë lidhje në kuptimin ideor me atë që thonë se përfaqësojnë, të djathtën liberale.
Përsëri, edhe sot, e përdorën këtë parlament dhe jam i bindur do vazhdojnë ta përdorin dhe në vijim, për të vazhduar propagandën e shfrenuar të kriminalizimit të Policisë së Shtetit. Një propagandë, e cila ka filluar që ditën e parë të kësaj qeverie dhe vazhdon me intensitet të plotë dhe përshkallëzohet hera herës, duke u kapur nga fakte, që në fakt janë prova e padiskutueshme e ndryshimit të madh që ka ndodhur në Shqipëri, duke komentuar ngjarje që në fakt janë rezultat operacioneve të policisë dhe duke sulmuar rezultate të cilat në fakt janë fryt i punës së një policie të rilindur. Meqë këta e kanë për zemër t’i përdorin në fjalimet e tyre botën, Europën, ndërkombëtaret, Berlinin që u trondit, Brukselin që po dridhet dhe me radhë, pastaj këto kryeqytet e tjera që po lebetiten nga të vërtetat që këta po nxjerrin në pah, unë me shumë kënaqësi por dhe më shumë krenari sot mund të them se dje ne kemi finalizuar një proces komunikimi me FBI e cila ka ardhur në Shqipëri pas këtij procesi komunikimi dhe pas një ftese të bërë për ministrin e Brendshëm dhe një diskutim të gjatë në selinë qendrore të FBI lidhur me një kërkesë tonën që në krye të herës për ta binjakëzuar FBI me Byronë tonë Kombëtare të Hetimit. Na kanë thënë se janë gati të fillojnë punën e përbashkët, pra të FBI dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, për të përshkallëzuar luftën kundër krimit ekonomik, kundër krimit të organizuar, evazionit fiskal dhe korrupsionit në drejtësi dhe në politikë. Kjo, na është thënë shprehimisht nga delegacioni i lartë i zyrtarëve të FBI, është rezultat i bindjes së krijuar nga Agjencia më prestigjioze e luftës kundër krimit për seriozitetin, për përkushtimin dhe për vlefshmërinë e punës së bërë deri tani nga Policia e Shtetit dhe ministri i Brendshëm. Meqë ju keni shumë kontakte me ndërkombëtarët, sepse ju vijnë në mënyrë intensive për të t’ju thënë “Ejani në vete”, shfrytëzojini këto kontakte për të verifikuar këto që po them unë.
Drejtuesi i delegacionit, një nga zyrtarët më të lartë të FBI ndër të tjera më tregoi që FBI përmes një hetimi të saj ka futur në burg të vëllain e tij. Pra, i vëllai i njërit prej zyrtarëve më të lartë të FBI është në burg në SHBA falë hetimit të FBI. Në qoftë se do të ishte këtu ky zotëria, do të futej dhe ky në burg patjetër, në logjikën tuaj, sepse do të ishte fajtori i vërtetë që fshihej pas të vëllait. Ndërkohë që, e kundërta është e vërtetë. Ne po tregojmë sesa të ndryshëm jemi nga ju dhe se çfarë ndryshimi duam të sjellim në këtë vend. Sepse nuk e kemi vetëm propagandë, nuk e kemi vetëm retorikë, nuk e kemi vetëm komunikim me publikun, por e kemi vijë sjellje që përpara ligjit janë të gjithë të barabartë dhe që kushdoqoftë përgjigjet në rast se e ndeshim në rrugën tonë të ndarjes me të shkuarën. Faktikisht, ne kemi dhënë një provë që nuk e dhatë kurrë as në fillimet, as në vazhdimet dhe as në fundin e të gjithë atyre viteve që keni qenë në pushtet. Kurrë ju nuk u ndatë dhe jo më të ndërmerrni pastaj një proces penal nga inkriminimi i pushtetit tuaj. Përkundrazi ju ishit streha për të gjithë ata që në emër të pushtetit tuaj vrisnin, në emër të pushtetit grabisnin, në emër të pushtetit tuaj manipulonin drejtësinë, në emër të pushtetit tuaj e përdornin çekiçin e gjyqtarit për të shkelur lirinë dhe të drejtat e njeriut në këtë vend. Ju! Tani siç e shikoni ka një ndryshim shumë të madh. Këtë po nuk ua them vetëm unë, këtë e thonë ata të cilët ju i referoheni. Pyetini dhe madje ju takon juve të veproni. Ju e dini se çfarë kërkojnë nga ju dhe mos kujtoni se do t’i shmangeni asaj kërkese. Ju e dini mirë, sepse publikisht e kanë thënë në mënyrë të përsëritur që shembullin e Partisë Socialiste duhet ta ndjekin dhe të tjerët, por juve iu kanë dhënë emrat, kështu që mos bëni sikur nuk kuptoni.
Nga ana tjetër, ne kemi një gjyq. Unë jam në gjyq, me të parin tuaj këtu dhe të dytin tuaj atje, të cilët në këtë Kuvend por dhe jashtë këtij Kuvendi janë bërë zëdhënësit e njërës prej këtyre akuzave monstruoze që ju bëni përditë për të kriminalizuar Policinë e Shtetit, për të kriminalizuar ministrin e Brendshëm, për të kriminalizuar qeverisjen dhe me shpresën e vobektë se në këtë mënyrë ju do t’i bëni shqiptarët që të kthehen nga ju.
Ju siguroj se nëse do të ishit të pranishëm në seancën gjyqësore ose nëse do të vini përsëri në seancën gjyqësore ju do të habiteshit nga sjellja e këtyre të dyve, që janë atje të kallëzuar, të cilët në vend që ta shfrytëzojnë Gjykatën e Lartë dhe mundësinë që unë ju kam dhënë për të nxjerrë një provë të vetme, e dini se çfarë thonë përpara gjykatës? Përpara gjykatës, tamam si pula, se këtu bëjnë si trima çohen dhe thonë: “Ne, po ç’punë kemi ne këtu? Përse kemi ardhur ne këtu? Ne nuk kemi gjë fare me këtë (me mua dmth). Ne flasim në emër të PD. Çfarë provash kërkoni nga ne? Provat janë opinioni i PD.” Gjykatësi i thotë: “Ore zotëri keni prova për akuzën tuaj se ky që ka ardhur këtu është i lidhur me atë…–po i printojmë se janë shumë. Po mirë një, të paktën e keni një provë”. “Po deklarata e Ambasadës së SHBA-ve”. E nga ana tjetër çohet avokati dhe thotë “E drejta e shpifjes nuk është e drejta e njeriut, por kur njeriu merret me politikë ka të drejtë të shpifë sepse politika nuk është fusha e provave, është fusha e opinioneve. Një opinion mund të jetë i rremë, por është opinion”. Me këto doni ta kapërceni ju këtë lumë ku po mbyteni? Me këtë proces kriminalizimi me çdo kusht dhe me çdo mjet të policisë, të qeverisë, të politikës, me shpifje nga më të ndyrat që nuk ka mendje njerëzore që mund t’i formulojë, përveç atyre mendjeve që janë në gjendje t’i bëjnë ato për të cilat akuzojnë të tjerët. Siç faktikisht i keni bërë, jo të gjithë këtu, por ata që e kanë pasur pushtetin real në PD, dhe ju i dini kush janë, e kanë bërë në mënyrë të vijueshme. Qeshnin pa pikën e gajles kur ministri i Brendshëm ju kujtonte disa episode që i dinë të gjithë, episode që tregojnë qartë se pushteti juaj ishte pushteti i njerëzve të paprekshëm, të fisit, të klanit, të tribusë së atij që e kishte në fakt pushtetin real. Qeshnin pa pikë turpi. Ndërkohë keni paturpësinë që të vini dhe të sulmoni Qeverinë për vendimet e drejta që ne marrim, për ndarjen e prerë dhe vijën e kuqe që ne kemi vendosur mes kësaj shumice dhe çdo vije sjellje që bie në kundërshtim me ligjin apo me moralin e kësaj politike, që ne po bëjmë. E, të gjitha operacionet e policisë të cilat janë haptazi suksese që nuk ju kërkoj t’i duartrokisni, por minimalisht nuk mund t’i kriminalizoni. Ju i kriminalizoni.
Në fund nuk i jepni përgjigje një pyetjeje shumë të thjeshtë; Po mirë gjithë këto operacione dhe gjithë këta njerëz që kapen e ndëshkohen brenda policisë dhe janë shumë pak ata që përmendi ju, janë 11% e gjithë trupës së Policisë së Shtetit që u trashëgua prej jush që është ndjekur ligjërisht. Tani kjo çfarë quhet? Quhet kriminalizim apo quhet vendosje standardesh në raport me ligjin, në raport me moralin e uniformave të policisë?
Përsëri do të bëj një gjyq tjetër, për këtë rastin konkret dhe përsëri do të ftohet. Më vjen shumë keq së këtë herë do të ftojmë edhe Profesorin në gjyq, – se pse e futën edhe Profesorin në këtë histori, se jua reciton juve njëri në telefon, ju i shkruan dhe dilni te foltorja dhe i recitoni – dhe përsëri mundësia përpara Gjykatës së Lartë për të thënë se ku e bazoni ju, një provë të vetme, një fakt të vetëm, gjithë këtë llum që jashtënxirrni nga ai sektori i poshtëm i fytyrës, që normalisht quhet gojë, por gojë njeriu nuk është nuk prodhon të tilla jashtënxjerrje që kutërbojnë gjithë dynjanë. Një fakt të vetëm. Një provë të vetme.
Së fundi, është për të ardhur keq vërtet që gjithë këtë proces e udhëheq me flamur në dorë ky këtu, që doli na tha dhe që paska qenë i pafajshëm. Unë në fakt e kam e shtruar këtë problem, se qysh se u ngrit kjo çështje ju kam thënë: “Dakord! Ta bëjmë së bashku, duke dëgjuar idetë tuaja, por me këtë çdo bëjmë?!” Se ky është i dënuar për korrupsion. I dënuar nga gjykatat e vendit me heqje lirie, ky që ishte këtu dhe del në çdo lloj tribune e pa pikë turpi, jashtënxjerr nga goja gjithçka që ia fusin në gojë, të përgatitur, që ai ta vjelli përpara publikut shqiptar, si një makineri riciklimi që nuk prodhon energji, por që prodhon vetëm një erë kutërbuese për të gjithë ata që e dëgjojnë dhe për të gjitha ato familje që hapin televizorin dhe në vend dëgjojnë se çfarë mendon Partia Demokratike për kaq shumë çështje, me të cilat mund të kishit bërë shumë më tepër simpatizantë sesa ç’kujtoni se po bëni me këtë politikë ordinere. Politikë ordinere, prej ordinerësh dhe me ordinerë. Kjo është e drejta juaj, askush s’jua mohon dot. Jeni të aftë që t’i bëni vetes ironinë më të madhe, duke vendosur në ballin e betejës njerëz që kanë probleme reale me drejtësinë. Ato janë probleme reale me drejtësinë që kanë njerëzit që ju i keni në ballë. Dhe, hipokrizinë absolute që nëpërmjet këtyre njerëzve të kujtoni ju se shqiptarët do thonë; prit t’i dëgjojmë se çfarë po thonë se këta paskan ndryshuar. Për më tepër pastaj, ju nuk lini rast pa e thënë që jo vetëm nuk keni ndryshuar, por jeni krenarë për ato që keni bërë dhe për të cilat shqiptarët ju katandisën këtu në një kotec me njerëz.
Në mbyllje, unë kam vetëm një sugjerim: Mos i jepni gojës shumë, sepse do të duhet pastaj t’i gëlltisni të gjitha ato që jashtënxirrni, andej nga mbrëmja e 21 qershorit, kur të dalin rezultatet e zgjedhjeve. Aty do të shikoni se sa shumë zemra keni fituar nga 23 qershori i kaluar dhe se sa shumë shqiptarët i besojnë këto broçkullat tuaja. Ndërkohë që, për ne është e qartë, nuk ka miqësi, nuk ka shoqëri, nuk ka lidhje gjaku, nuk ka lidhje fisi, nuk ka lidhje partie, që prevalon mbi detyrimin tonë për të ndryshuar njëherë e mirë këtë vend. Në rast se cilido nga këta elementë, – që për ju janë më të shenjtë sesa shërbimi ndaj këtij vendi, – cenon shërbimin tonë ndaj këtij vendi, ne zgjedhim shërbimin ndaj vendit, nuk zgjedhim asgjë nga këto të tjerat.
Jam absolutisht krenar që jemi e para fuqi politike në këtë parlament, si aleancë qeverisëse, që kemi forcën, kemi kurajën dhe kemi vendosmërinë që mos t’i themi të bardhës të zezë, kur është përballë nesh dhe të zezës të bardhë kur është pranë nesh. Por t’i themi të bardhës të bardhë dhe të zezës të zezë. Kush zgjedh të bardhën është i nderuar, kush zgjedh të zezën është i larguar. Pastaj, drejtësia të bëjë punën e vetë, jo vetëm për këta të dy, por edhe për gjithë ata të tjerët, për të cilët ju të jeni shumë të sigurt që do t’i pasojnë.