Binjakëzohen Tirana dhe Barcelona!
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, njoftoi për binjakëzimin në disa sektorë mes kryeqytetit shqiptar dhe qytetit të famshëm spanjoll, Barcelonës, qytet që njihet gjerësisht nga shqiptarët shumë prej të cilëve janë tifozë të ekipit të futbollit të këtij qyteti.
“Tirana dhe Barcelona bashkë për tregjet dhe transportin publik,” – thekson kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, pas takimit të sotëm ku gjeti rastin të falënderonte Kryebashkiaken e Barcelonës Ada Colau Ballano, për mikpritjen dhe ndihmën. – “Menaxhimi i tregjeve, transporti publik dhe urbanizimi do të jenë tre nga fushat në të cilat, Tirana do të ndjekë modelin e suksesshëm të Barcelonës,’ – theksoi Veliaj në profilin e tij Facebook, pas këtij takimi .
Kryebashkiaku Veliaj e informoi homologen e tij mbi ndryshimet që tashmë kanë nisur të vihen re në Tiranë, për lirimin e hapësirave publike, projektin e Pazarit të Ri dhe disiplinimin e transportit publik. Ai vlerësoi se eksperienca e Barcelonës në këto fusha, të cilat përkojnë edhe projektet kryesore të Bashkisë së Tiranës, do të mund të ndikojë pozitivisht në përmirësimin e tyre.
Nga ana e saj, kryetarja e Bashkisë së Barcelonës, Ada Colau, garantoi kryebashkiakun Veliaj se administrata e saj do të ofrojë gjithë eksperiencën e nevojshme për përmirësimin e shërbimeve publike të qytetit, si dhe sqaroi modelet konkrete që Bashkia e Barcelonës ndjek për disa çështje të rëndësishme si urbanizimi, sistemimi i hapësirave publike, tregjet publike dhe transporti publik.
Dy kryebashkiakët ranë dakord për binjakëzimin e bashkive të Tiranës dhe Barcelonës për të ndihmuar kryeqytetin shqiptar në menaxhimin e tregjeve, transportit publik të qytetit, lirimin e hapësirave publike dhe problemet e urbanizimit.
KOHA JONË SONDAZH

