BIRN: Kriza godet të ardhurat buxhetore, në korrik më të ulëta se 2021
Muajt e parë të vitit, qeveria shqiptare ishte nga ana e përfituesve nga dallga e rritjes dramatike të çmimeve të mallrave në tregun ndërkombëtar dhe në tregun e brendshëm, duke shënuar rritje dramatike në të ardhurat buxhetore. Por dasma e muajve të parë duket se ka mbaruar për shkak se çmimet e larta duket se kanë sjellë rënie konsumi, gjë që po përkthehet në rënie të të ardhurave buxhetore.
Ministria e Financave publikoi të mërkurën një njoftim për shtyp në të cilin theksoi se të ardhurat për periudhën shtatëmujore janar-korrik 2022 ishin 326.7 miliardë lekë, me një rritje mbresëlënëse prej 16% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ministria nuk i ka publikuar ende të dhënat statistikore të detajuara ndërsa njoftimi i saj për shtyp lë pa përmendur faktin se kjo rritje vjen si rrjedhojë i asaj që ka ndodhur në muajt e parë të vitit ndërsa tendenca e përgjithshme e rritjes ka ardhur në ngadalësim. Kështu, të ardhurat e muajit janar 2022 ishin 30% më të larta se sa në janar 2021 por të ardhurat e muajit shkurt ishin 22% në në larta. Ritmi i rritjes ra në mënyrë drastike në muajt në vijim pasi rritja e çmimeve nuk mjaftoi për të kompensuar rënien e konsumit. Në qershor 2022, buxheti arkëtoi 7.4% të ardhura më shumë se sa në qershor 2021 ndërsa në korrik, të ardhurat ishin 0.3% më të ulëta se sa korriku i vitit të kaluar.
Të dhënat statistikore të qeverisë nuk të mundësojnë të shohësh në mënyrë të detajuar se nga ka ardhur rënia, por ajo që vihet re është që importi i karburanteve për gjashtë muajt e parë të këtij viti ishte 260 mijë tonë, me një rënie 9% në krahasim me vitin e kaluar.
Shqiptarët u përballën me rritje dramatike të çmimeve gjatë pjesës së dytë të vitit të kaluar dhe pjesës së parë të këtij viti. Çmimet u rritën në tregun ndërkombëtar për lëndët e para, për transportin dhe për karburantet, ndërsa Banka e Shqipërisë vlerëson se vendi mund të përballet me të ashtuquajturën “valë e dytë” e inflacionit, pra rritjen e çmimeve indirekte të shkaktuar nga rritja e kostos së lëndëve të para.
Çmimi i naftës ishte 170 lekë në të njëjtën periudhë të një viti më parë ndërsa këtë vit u rrit deri në 260 lekë për litër, para se të bjerë në nivelin aktual prej 221 lekësh për litër. Aktualisht çmimi i naftës është 30% më i lartë se sa një vit më parë ndërsa rritja shënoi kulmin në 53% në prill të këtij viti.
Rritja e çmimeve të mallrave kyçë si nafta ka efekt stagflacionues në ekonomi, gjë që do të thotë që njerëzit, përballë detyrimit për të paguar më shtrenjtë për mallrat e domosdoshëm, kursejnë duke mos blerë mallrat jo të domosdoshëm, apo shtyjnë për më vonë blerje të mëdha, duke sjellë rënie të përgjithshme konsumi.
Ecuria e konsumit dhe e të ardhurave buxhetore në muajt në vijim është i paqartë. Rënia e konsumit në të gjithë botën ka sjellë ndërkohë edhe rënie të çmimeve të shumë mallrave, përfshirë naftën, e cila sot në tregun ndërkombëtar kushton 91 dollarë për fuçi, nga 120-140 dollarë që shënoi në periudhën menjëherë pas fillimit të luftës në Ukrainë. Rënia e çmimeve normalisht do të sjellë rritje të konsumit por çmimet gjithsesi vijojnë të mbeten shumë më të larta nga sa ishin një vit më parë.
Buxheti i shtetit mbetet gjithsesi me suficit buxhetor pasi qeveria është treguar vazhdimisht e paaftë për të realizuar investimet publike në kohë. Sipas njoftimit të vetë ministrisë, shpenzimet kapitale, termi me të cilin i referohen investimeve publike, u realizuan në shtatëmujor në masën 70% të planit. Për rrjedhojë, buxheti i shtetit kishte një suficit prej 16 miliardë lekësh në vend që të kishte një deficit prej 45 miliardë lekësh, siç ishte parashikuar në planin buxhetor./BIRN