BIRN: Pas paqes 6-mujore, Kuvendi rikthehet në arenë tensioni, opozitarët i vunë flakën karrigeve

Pas një paqeje të shkurtër 6-mujore mes socialistëve dhe demokratëve, Parlamenti shqiptar u kthye sërish në një arenë të tensionuar të hënën, pasi deputetët e Partisë Demokratike protestuan brenda dhe jashtë sallës kundër burgosjes së kolegut të tyre, Ervin Salianji, i dënuar me 1 vit burg për kallëzim të rremë nga Gjykata e Apelit.

Deputetët demokratë bllokuan fillimisht foltoren dhe më pas e zhvendosën aksionin në oborrin e Parlamentit, ku i vunë flakën karrigeve të tyre. “Edi Rama ka djegur parlamentin, ne dorëzojmë karriget tona duke i djegur ne të parët, sepse nuk jemi këtu për veten tonë, por jemi për qytetarët dhe interesin publik,” deklaroi kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.

Megjithatë, Bardhi mohoi që djegia simbolike e karrigeve do të shoqërohej me djegie të mandateve, duke theksuar se ata “nuk shmangen nga beteja”. Opozita e ndërmori aksionin e vet pasi Gjykata e Apelit vendosi të lërë në fuqi dënimin me 1 vit burg të Salianjit, i cili konsiderohet nga përfaqësuesit e opozitës si i dënuar politik.

Edhe nënkryetari i PD, Flamur Noka deklaroi se aksioni i tyre është pasojë e luftës që kryeministri Edi Rama i ka shpallur opozitës, duke paralajmëruar skena të ngjashme edhe në seancat e ardhshme. “Edi Rama nuk mund të likujdojë opozitën, opozita është sot në ballë të aksionit. Nuk do të kemi kompromis me mafian dhe krimin, ne jemi në betejë,” tha Noka, duke artikuluar si kërkesë të opozitës krijimin e një qeverie teknike.

Seanca plenare e së hënës zgjati vetëm 20 minuta, ku kryetarja Elisa Spiropali njoftoi vakancën e krijuar nga mbarimi i mandatit të Salianjit dhe njoftimin e saj të KQZ. “Kuvendi i Shqipërisë nuk ka asnjë lidhje me vendimet e Gjykatave, as për ministrat tanë, as për ministrat tuaj, për askënd,” tha Spiropali, e cila paralajmëroi edhe masa ndëshkimore ndaj deputetëve për shkelje të rregullores. /Reporter.al/

SHKARKO APP