Biseda e Bashës me ambasadorët, flitet për emrat e qeverisë teknike

Lulzim Basha prej ditës së hënë ka xhvilluar dreka pune me ambasadorë të BE-së. Kështu ishte dhe e djeshma, në “Ditën e Verës”, Basha u pa me aleatët e PD-së, në një drekë pune sërisht me ambasadorë.

Në drekën e zhvilluar në qendër të Tiranës, Basha dhe aleatët e tij në opozitë komunikuan me ambasadorin e Gjermanisë, Kroacisë, Hungarisë, Polonisë, Sllovenisë, Belgjikës, Holandës dhe Sllovakisë.

Basha ka deklaruar gjatë takimit se me këtë qeveri opozita nuk ka garanci se procesi zgjedhor nuk do të manipulohet, ndaj edhe ka vendosur që deri në momentin që nuk do të ketë një qeveri me mbështetje të gjerë politike, nuk do të ketë regjistrim në zgjedhje.

“Ne kemi diskutuar në këto ditë se cili është vizioni ynë për qeverinë teknike. Jemi futur në detaje konkrete që kanë demonstruar përpara partnerëve ndërkombëtarë seriozitetin e opozitës. Tregon që është një projekt politik që ka për qëllim nxjerrjen e vendit nga kriza”, tha Basha.

Burime pohojnë se kreut të PD-së, Lulzim Bashës dhe aleatëve të tij gjatë drekës, ju është kërkuar të japin emra konkretë për përfaqësues të mundshëm që mund të jenë pjesë e qeverisë teknike dhe në çfarë rastesh të tjera është aplikuar në Shqipëri krijimi i kësaj qeverie.

Kreu i PR-së, Fatmir Mediu, thuhet se gjatë drekës solli rastin e zgjedhjes së Presidentit Alfred Moisiu me konsensus me opozitën e kohës. Sipas Mediut, pavarësisht se maxhoranca në atë kohë ishte në pushtet, “lëshoi” në zgjedhjen e Presidentit, duke zgjedhur një njeri me profil të ulët politik, i cili rezultoi mjaft i suksesshëm.

SHKARKO APP