Bizneset përgjatë akseve kombëtare, Belinda Balluku: 7 ditë afat për zhvendosje vullnetare. Zero tolerancë për subjektet
Bizneset që ushtrojnë aktivitetin përgjatë akseve kombëtare në të gjithë territorin e vendit, kanë një afat prej 7 ditësh për të spostuar vullnetarisht aktivitetin e tyre brenda hapësirës së tyre, duke respektuar kriteret ligjore për ndërtimet pranë rrugëve.
Zv/kryeministrja dhe njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku së bashku me drejtuesen e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), Dallandyshe Bici, ishin sot në aksin Kombinat-Ndroq-Plepa, nga ku njoftuan se pas përfundimit të afatit, do të ndërmerren masa ndëshkuese ndaj të gjitha bizneseve që nuk kanë liruar zonat përreth akseve rrugore.
”Subjektet tregtare që rrezikojnë sigurinë rrugore duhet të marrin të gjitha masat për të zbatuar kriteret ligjore që përcaktojnë distancën 3 metra nga kanali i rrugës. Brenda muajit korrik duhet të kenë liruar vullnetarisht territoret. Pas këtij afati do të nisë aksioni për lirimin e akseve rrugore dhe subjektet do të gjobiten. Zero tolerancë për të gjitha subjektet që, jashtë çdo kriteri, janë vendosur pranë rrugëve, duke u kthyer në rrezik për përdoruesit e tyre”, deklaroi Balluku.
Ajo theksoi gjithashtu se nga ky detyrim përjashtohen vetëm ndërtimet për banim. Nga ana e saj, drejtuesja e IKMT-së, Dallandyshe Bici, bëri të ditur se është ngritur një taskforcë e posaçme, e cila do të fokusohet veçanërisht në subjektet e përpunimit të mermerit, varrezave të makinave dhe pikave të skrapeve.
KOHA JONË SONDAZH

