Bledi Çuçi: Pajisje superinteligjente dhe kamera në çdo cep të vendit
Bledi Çuçi ka folur në Kuvend për programin qeverisës sa i përket Ministrisë së Brendshme dhe policisë.
Ministri Çuçi deklaroi se në këto katër vite do të ketë strukturim, moderim dhe futje të teknologjisë në strukturat e Policisë së Shtetit. Sipas tij, gjatë këtij mandati do të futen në përdorim pajisje superinteligjente për të kontrolluar të gjithë territorin, si dhe do të vendosen kamera në çdo segment rrugor.
“Ristrukturim, moderim dhe futja e teknologjisë, këto do të jenë elementët që do të përshkojnë Policinë e Shtetit. Çdo kilometri katror do t’i caktojmë një trupë policore, për të pasur një kontakt me çdo dhunim që mund t’i bëhet territorit të Shqipërisë. Gjatë këtij mandati do të fusim përdorimin e teknologjisë dhe pajisjeve super-inteligjente për të kontrolluar gjithë territorin. Do të punojmë sipas parimit që policia do të jetë forca e vetme për evidentimin e çdo paligjshmërie në territori.
Do të forcojmë masat ndëshkuese në Kodin Rrugor, por do të rrisim dhe investimet në sistemin e monitorimit të trafikut, digjitalizimin me proceset që lidhen me përdoruesit e mjeteve. Në këtë mandat synohet vendosja e kamerave në çdo segment të Shqipërisë.
Lidhur me krimin, do vijojmë me parimin “ndiq paratë”. Do të rrisim kapacitetet investiguese. Shumë shpejt në këtë Parlament do të paraqesim këtë strukturë të re. Do të synojmë që të transformojmë shërbimin e çështjeve të brendshme dhe ankesave në një agjenci të mbikëqyrjes policore. Gjithashtu, do të vijojmë të ulim moshën mesatare në trupën e policëve. Sa i takon ndryshimeve, them që çdo lëvizje do të bëhet sipas performancës së secilit dhe në kuadër të ligjit”, u shpreh ministri i Brendshëm.