Bledi Çuçi për mandatin e Olta Xhaçkës: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është zbatuar 100%, është lexuar në publik
Partia Socialiste nuk e çoi mandatin e Olta Xhaçkës për ta shqyrtuar Gjykata Kushtetuese nëse ajo me postin e saj ka ndikuar që të favorizohet bashkëshorti i saj biznesmen, me statusin si investitor strategjik. ”Vendimi i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me çështjen e mandatit të deputetes së PS-së Olta Xhaçka është zbatuar plotësisht”, kështu tha kreu i grupit parlamentar socialist Bledi Çuçi, kur u pyet nga gazetarët pse nuk u zbatua vendimi i Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje.
“Nuk është e vërtetë që ne nuk zbatojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është zbatuar 100%. Ua kam lexuar në publik çfarë thotë vendimi, dhe thotë që shfuqizohen vendimet që ka marrë Kuvendi në lidhje me çështjen e Olta Xhaçkës të dyja vendimet që ka marrë që i ka shfuqizuar Gjykata Kushtetuese nuk janë në fuqi.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është zbatuar plotësisht. Me këtë frymë; për ta çuar deri në fund këtë çështje, ne në Këshillin E mandatave morëm një vendim që t’ia çojmë seancës plenare për t’u shprehur secili deputet për këtë çështje.
Vendimi ka qenë dërgohet në Gjykatën Kushtetuese çështja e mandatit të Olta Xhaçkës. Mos bini pre e spekulimeve! Është zbatuar 100% vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Merreni lexojeni dispozitivin e Gjykatës Kushtetuese dhe aty shprehet qartë se çfarë përmban. Nuk ka ndonjë detyrim për parlamentin që ta sjellë me detyrim në Gjykatën Kushtetuese çështjen për papajtueshmëri të mandatit të deputetes Xhaçka”.