Blegtorja nga Mirdita tund Kuvendin me “SOS”-in ndaj fshatit: Ktheni sytë tek ne
“Kristina, një bashkëfshatare e imja, shet e ulur në rrugë. Nëse e pyesni Kristinën se çfarë do nga shteti, ajo thotë ujë dhe rrugë. Unë do i shtoja kërkesave të saj edhe shkolla e qendra shëndetësore”
Redjon Shtylla
Në kuvend foli si rradhë herë një përfaqësuese e popullit, mbi sfidat e përditshmërisë, në ditën e tretë të takimit të Parlamentit Rural, një organizim i fermerëve, organizatave jo fitimprurëse, agjencive shtetërore për bujqësinë si dhe Universiteti Bujqësor. Diskutimet ishin për politikat në ndihmë të zonave rurale.
Rigerta Loku, blegtorja nga Mirdita, bëri që si rradhë herë kuvendi të merrte vëmendjen që i mungon edhe kur zihen deputetët. 35-vjeçarja me duart që i djersisnin, i mbante fort në poltronën nga ku i prezantoi deputetëve dhe Shqipërisë një copëz nga jeta e përditshme, të cilën e përcolli emocionalisht me një fjalim të fortë, duke sfiduar pa frikë pjesën më të madhe të deputetëve.
Loku tregoi se pas mbarimit të studimeve në Itali, u kthye në vendlindje dhe hapi një fermë me 300 dhi. 35-vjeçarja tregoi se ajo dhe bashkëshorti nuk janë penduar për asnjë minutë për këtë vendim. Që në krye të fjalimit, ajo e theksoi se fshati nuk ngjyrosje partiake. “Ne në fshat punojmë me dorën e djathtë, zemra na rreh në të majtë, kurse trurin e kemi në qendër”. Rikthimi në Shqipëri i Rigerta Lokut me dy diploma nga Universiteti “La Sapienza” në Itali, ishte për tu marrë me “kafshën politike”, por kushtet i krijuan mundësinë që tu merrte me kafshën zologjike.
35-vjeçarja foli në Kuvend për mbështetjen e bujqësisë dhe fshatit, ndërkohë kërkesat e saj për qeverinë ishin shumë të thjeshta: rrugë, ujë, shkolla dhe qendra shëndetësore. “Urojmë dhe shpresojmë që për të mirën e fshatit, për të mirën e qytetit, për të mirën e Shqipërisë Europiane, që këta deputetë që rrinë ulur këtu, të na nderojnë ne, dhe veten e tyre. Fshati ka nevojë për kapital njerëzor, që ti shembim rrugët e braktisjes dhe të ndërtojmë rrugën e rikthimit”,-shtoi 35-vjeçarja.
Leksioni i Rigertës për politikën, edhe si një “SOS” për fshatin, e që përloti të pranishmit në sallë, shumë prej tyre zyrtarë të huaj. “Ulërima” e saj shkoi edhe për mungesën e informacionin. “Duhet informacioni të na vijë te stalla, e jo unë të vij në parlament për të marrë informacion”. “Ejani, ejani në fshat”, thirrja me lot por me revolutë e Rigertës për pushtetarët që fundjavat i kalojnë jashtë vendit. “Nuk ka vend më të mirë për të ngrënë se në fshat”, tha 35-vjeçarja, duke shtuar se: “Bukë, kripë, zemër e ushqim bio, ejani në fshat, në doni qetësi e dashni, ejani në fshat”. Rigerta u kujdes që ti këshillonte pushtetarët edhe për makinën me të cilën do të udhëtonin, aty ku ju duhet një foristradë. “Fshatrat, e sidomos ato që nuk janë në akset rrugore, nuk shkon dot makina. Atje ku nuk shkon makina nuk shkon as jeta. Fshatrat, sidomos ata të nuk kanë rrugë, janë si artierie gjaku që ushqejnë dhe japin jetë”.
Me tone të larta, të mprehta e herë-herë vajtuese, duke qarë e bërtitur për ndihmë për fshatin, Rigerta përveç historisë së saj tregoi edhe historinë për Kristinën. “Unë kam ardhur këtu që të tregoj pse jo Gertën por kam ardhur këtu të sjell edhe Kristinën. Kristina është një bashkëfshatare e imja. Besoj se gjithsecili prej jush, sidomos ata që janë fshatarë e kanë nga një Kristinë në fshat. Ajo ka rrudha fisnike të përzhitura nga dielli, duar të çara e të ashpra si brusketat e restoranteve në qendrat urbane, sy të qeshur e të ëmbël ka Kristina. Ngrihet para diellit e ulet shumë pas tij. Oh, ngrihet në mëngjes, mjel lopën, çel pulat, pastron vathin. Ngrihet dhe çon fëmijët në shkollë, ndoshta me furgonin që nuk vjen kurrë, ajo i përcjell më këmbë. Shet qumështin në shishet e coca-colës të lara me kujdes sepse ky është fshati. Shet ato 20 kokrra vezë, 3-4 kile rrush, domate jeshile, ato që kanë mbetur nga kopshti i mbjellë me lakra të zeza dhe presh që t’i ketë si rezervë për dimër. Shet ashtu Kristina e ulur në rrugë dhe po t’i thoni Kristinës ju se çfarë do Kristinë të të japë shteti ty, ajo me shumë modesti do të thotë: Unë dua ujë edhe rrugë. Se ka dinjitet Kristina, nuk i kërkon asgjë tjetër shtetit të saj veçse ujë dhe rrugë. E unë do t’i shtoja kërkesave të Kristinës, ujë, rrugë, shkolla dhe qendra shëndetësore efikase, e miq e shokë. E nëse ju e pyesni përsëri Kristinën kë do të votojë, do të thotë do votoja që më sillte rrugën. Por Kristina e shkretë, që kur ishte bijë në fshatin e të atit dhe deri tani sot që është grua në fshatin e të shoqit, Kristina votoi e rivotoi ata që rrugën nuk ia sollën kurrë. E nëse do të pyesni ku është burri i Kristinës…Ai ka punuar ca kohë në kantieret e “Rilindjes Urbane” por presim që fshati të rilindë, atë presim ne. Kur fshatari t’i kthehet fshatit të tij, atëherë politika ka bërë diçka madhështore për fshatin”.
Ish-studentja e “La Sapienza-s”
Rigerta Loku ka studiuar për shkenca politike në universitetin prestigjoz të “La Sapienza-s” në Romë dhe është specializuar për marrëdhënie ndërkombëtare. Ajo u rikthye vite më parë në Shqipëri, po pavarësisht shkollimit, bashkitë në Rubik dhe Rrëshen nuk ia pranuan “CV”-në, ndërkohë që i kërkuan të rreshtohej politikisht. 35-vjeçarja refuzoi të kapej nga politika, por së bashku me bashkëshortin e saj vendosën të hapin një fermë në fshatin Prosek, në Mirditë. Por edhe pse është vetëm 6.5 km larg qytetit të Rrëshenit, rruga për në fshatin Prosek kërkon më shumë se 40 minuta me një automjet të lartë, pasi rruga e keqe nuk mundëson kalimin e automjeteve të tjera.
Mbështetja në rrjete sociale
Rigerta Loku, me fjalimin drithërues në sallën e vogën të kuvendit por që tronditi një Shqipëri, pa frikë “pushtoi” mediat online dhe rrjetet sociale. Me qindra e mijëra komente mbështetëse, e share në facebook, 35-vjeçaraja bëri që fjalimi 11-minutësh të shpërndahet në facebook. Në faqen e facebook-ut të “Koha Jonë”, qindra komente e mijëra share duke mbështetur në çdo germë të vërtetat që Gerta ua tha në sy politikanëve.
Çfarë kërkoi 35-vjeçarja?
Moderim të çmimit të punimit të tokës dhe farërave
Zhvillim ekonomik dhe social i një trajtshëm
Mbështetje e mikroekonomike rurale
Fragmentizim të organizuar
Invonacion dhe informacion
Ujë vaditës, pirës
Politika agrare
Kredi të buta
Fjalimi i plotë në Kuvend
Unë kam mbaruar studimet e larta në Romë, në një nga universitetet më të mira në Itali, “La Sapienza”. Kam mbaruar master shkencor për marrëdhënie ndërkombëtare me rezultate shumë të mira. E kthyer në Shqipëri në provincën time u gjenda duke administruar një tufë dhish prej 350 krerësh.
Në fillim kur shkova në Itali ideja ishte që të vija këtu e të merrem me kafshën politike, por fati dhe provinca më krijoi mundësitë që unë të merrem me kafshën zoologjike. Pas 7 vitesh eksperiencë, sakrifica familjare e personale unë e im shoq nuk jemi penduar, qoftë dhe për një minutë të vetëm që jemi fshatarë, blegtorë dhe që kemi bërë këtë gjë të vogël në Mirditën e madhe. Kam shumë emocioni, ndjej mbi zemër dhe shpatulla peshën që kjo foltore të lëshon mbi shpinë. Por unë do të iki prapë atje në provincën time.
Do të iki, dhe pesha e përgjegjësia do të bjerë mbi këta të nderuar deputetë. Urojmë dhe shpresojmë për të mirën e fshatit. Për të mirën e qytetit, të Shqipërisë europiane që këta deputetë që rrinë të ulur këtu të na nderojnë, ne dhe veten e tyre. Fshati ka nevojë të rilindë, rimëkëmbet, rianimohet. Le ta quajmë si të doni, fshati ka nevojë për kapital njerëzor, ti shembim rrugët e braktisjes dhe të ndërtojmë rrugët e rikthimit. Në fshat gjithashtu mbijetojnë esencat e mrekullueshme të një jetë të vështirë. Zhvillimi ekonomik dhe social i njëtrajtshëm është thelbësor për vendin tonë.
Mbështetje dhe forcim i atyre mikroekonomive rurale që modestisht prodhojnë punësim. Fragmetizim të organizuar duam ne. Inovacion dhe informacion, pasi informacioni është bazë e zhvillimit të mëtejshëm. Duhet informacioni të vijë atje tek stalla, jo unë të vij në parlament për të marrë informacion. Le të vishemi bukur sa të duam, të prodhojmë këpucë, biçikleta, industri, makina avionë, sa të duam ne, por pa fshat të zhvilluar nuk ka qytete të zhvilluara. Po nuk na zhvilluat ne, ju nuk zhvilloheni kurrë! Zhvillimi i vjen Shqipërisë nga periferia!
Atje nga Mirdita ime zhvillohet Tirana juaj dhe jo nga Tirana juaj zhvillohet Mirdita ime! Se çfarë është bërë deri sot për fshatin po e shohim përditë. Se çfarë do të bëhet do ta shohim në vijim. Unë jam aty! Nuk shkoj asgjëkundi! Pres! Por në mënyrë aktive. Nuk qëndroj, punoj! E kush ka në rajon e në Europë kultura e tradita më të bukura për ne ti mbështesim e promovojmë, jo me fjalë por me vepra. Agrikultura, Agroturizmi janë pika të forta të zonave rurale që kërkojnë bashkëpunim për t’i mbështetur e promovuar. Diçka ka nisur të lindë! Infokulla ka nisur të rritet dhe atje tek unë, por duhet ta ndihmojnë në çdo hap. Turizmi si vlerë lokale e rajonale për të promovuar Shqipërinë rurale si thesar i fshehur që duhet zbuluar, bashkëpunim e durim për të promovuar cilësitë, traditat, historinë, ushqimin e fshatit. Tradita e përzier me zhvillim e inovacion do të ishte për ne një përzierje jetësore. Ta mbështesin fermerin e ri që me shumë vështirësi e sakrifica çon përpara fermën. Ta mbështesin fshatarin që ndoshta nuk ka mundur të braktisë fshatin e tij, ose ndoshta nuk ka dashur ta braktisë atë vend, ato fshatra ku varfëria dhe mrekullia jetojnë në mënyrën më fantastike të mundshme. Ejani ta shikoni! Ejani në fshat! Se nuk ka vend ku hahet më mirë se në fshatrat tanë. Në doni bukë, kripë e zemër të mirë ejani në fshat! Në doni qetësi e dashni ejani në fshat! Do ju lutesha të mos vini me një makinë të vogël, por të vijë me një fuoristradë, sepse fshatrat, sidomos ato që nuk janë në akset rrugorë kryesorë, nuk shkon dot makina. Nuk shkon dot makina. E atje ku nuk shkon makina nuk shkon asgjë. Nuk shkon as jeta! Fshatrat, sidomos ata të strukturit nuk kanë rrugë, rrugë si arterie gjaku që ushqejnë dhe japin jetë. Jepini ujë dhe rrugë fshatit dhe keni dhënë zhvillim!
Nuk kërkojmë asgjë tjetër: Ujë dhe rrugë! Unë kam ardhur këtu që të tregoj pse jo Gertën, por kam ardhur të sjell edhe Kristinën. Kristina është një bashkëfshatare e imja. Besoj se gjithësecili prej jush, sidomos ata që janë fshatarë e ka nga një Kristinë në fshat. Ajo ka rrudha fisnike të përzhitura nda dielli, duar të çara e të ashpra si brusketat e restoranteve në qendrat urbane, sy të qeshur e të ëmbël ka Kristina. Ngrihet para diellit dhe ulet shumë pas tij. Ngrihet në mëngjes, mjel lopën, çel pulat, pastron vathin, çon fëmijët në shkollë ndoshta me furgonin që nuk vjen kurrë dhe ajo i përcjell në këmbë. Shet qumështin me kokakolat e lara me kujdes, sepse ky është fshati. Shet ato 20 kokrra vezë, 3- 4 kile rrush, domatë jeshile, ato që kanë mbetur nga kopështi i mbjellë me lakra të zëza dhe presh që ti ketë rezervë për dimër. Shet ashtu Kristina, e ulur në rrugë. Dhe po ti thoni Kristinës çfarë do ti që shteti të të japë ty, ajo me shumë modesti do të thotë: Unë dua ujë dhe rrugë. Se ka dinjitet Kristina. Nuk kërkon asgjë shtetit të saj veçse ujë dhe rrugë. E unë do ti shtoja Kristinës dhe ujë, rrugë, shkolla Ujë, rrugë, shkolla dhe qendra shëndetësore efikase. Ujë, rrugë, shkolla, qendra shëndetësore, e miq e shok. E nëse ju do ta pyesni Kristinën se për kë do të votoje? Kristina do të thotë unë votoj atë që më sjell ujë dhe rrugën. Por Kristina e shkretë që kur ishte bijë, themi ne atje në fshatin e të atit dhe tani që është grua në fshatin e të shoqit,
Kristina votoi e rivotoi ata që rrugën nuk ia sollën KURRE! Kjo është Kristina ime! Kjo është fshatarja ime! Edhe nëse ju do të pyesni ku është burri i Kristinës ai ka punuar për ca kohë në kantieret e RILINDJES URBANE, po ne presim që FSHATI TE RILINDE Atë presim ne! Kur fshatari ti kthehet fshatit të tij atëherë, politika ka bërë diçka madhështore për fshatin. Nuk është një proces i lehtë dhe i shpejtë por dhe ne nuk shkojmë asgjëkundi. Duke ndihmuar fshatin dhe Shqipërinë. Ka plot vështirësi fshati e Shqipëria por kush thotë se ky vend nuk bëhet KURRË e vret fshatin dhe Shqipërinë!
Na vret ne njëmijë herë! Ky vend do të bëhet se i ka të gjitha mundësitë për tu bërë. Dhe ne jemi këtu. Ky vend ka nevojë për punëtorë që kanë pak llafe e shumë punë. Të fortë e optimistë se kush mbjell e mbarështon siç bëjmë ne në fshat e ka forcën e optimizmin në çdo punë të tij. Askush nuk mbjell nëse nuk e di se çfarë do të korrë dhe askush nuk rrit e mbarështon nëse nuk e di se do të rrisë kecat e vegjël. Duke u bazuar në eksperiencën time modeste para jush ju them që fshati nuk ka as politikë, nuk njeh parti, nuk ka opozitë, as pozitë. Ne atje në fshat punojmë me dorën e djathtë e këmbën e djathtë, por zemra na rreh majtas, trurin e kemi në qendër e nëse duam të bëjmë mirë atë që duam të bëjmë, E nëse ky parlament do të bëjë mirë atë për të cilin është zgjedhur të bëjë duhet që secili prej organeve të bëjë funksionin që i përket.
KOHA JONË SONDAZH

