Blendi Fevziu: Basha dhe Berisha të largohen të dy. Partia Demokratike ka nevojë për një kryetar të ri
Situata mjaft problematike në PD nuk ndalon, përkundrazi do të njohë episode të reja në muajt në vazhdim.
Gazetari Blendi Fevziu tha ditën e sotme lidhur me përplasjet e brendshme në Partinë Demokratike, që lindën pas vendimit të kryedemokratit Basha për të pezulluar liderin historik Sali Berisha se ka nevojë ikin të dy nga drejtimi i PD.
“Ata, të dy, duhet të largohen nga drejtimi i PD” theksoi moderatori i njohur Blendi Fevziu, pasi PD ka nevojë për një kryetar të ri, i cili nuk duhet të jetë më shumë se 35-vjeç, me qëllim që të përthithë të rinjtë.
“Ç’rëndësi ka që kush e merr PD-në, nëse PD-ja përfundon një dyqan të vogël, siç tha Aurel Plasari. Në fakt ai ishte i pari që kohë më parë ngriti shqetësimin për situatën brenda Partisë Demokratike dhe kërkoi rithemelimin e saj.
Pika e dobët e Berishës është se nuk e kontestoi humbjen e zgjedhjeve të 25 Prillit menjëherë pas zgjedhjeve dhe jo kur u përjashtua nga partia.
Problemi tjetër është që nuk kishte një diskutim serioz në PD, pse u humbën zgjedhjet. Në PD nuk u bë asnjë diskutim i vetëm, për të gjetur pikat e dobëta që e lanë në opozitë për të tretën herë”, tha Fevziu.
Debati Berisha-Basha po shkon drejt një konflikti të pashmangshëm, mundet edhe fizik me turma te selia blu, ndaj e mira e kërkon që duhet një kryetar i ri në PD.
Kjo PD, siç po shkon sot, nuk ka asnjë shans të rikthehet më në pushtet. Ndaj lind nevoja e një kompromisi të madh mes palëve në këtë forcë politike që asnjeri të mos jetë në organet drejtuese, por të zgjidhet dikush tjetër përbashkues e sfidues ndaj pushtetit të Edi Ramës.
Nëse vazhdojnë kështu PD-ja kurrë nuk vjen në pushtet.