Blinken më 15 shkurt në Tiranë. Takim me Ramën dhe Altin Dumanin. Mesazh mbështetje për SPAK-un
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken do të vizitojë më 15 shkurt Tiranën, duke u bërë kështu sekretari i 6-të amerikan i Shtetit që viziton zyrtarisht vendin tonë. Ai do të pritet nga kryeministrit Edi Rama e së bashku do të mbajnë edhe një konferencë për shtyp.
Blinken i cili shpalli non grata ish-kryeministrin Berisha në maj 2021, synon që përmes kësaj vizite të ritheksojë mbështetjen amerikane ndaj prokurorisë speciale SPAK.
Sekretari amerikan do të zhvillojë një takim ”kokë më kokë” me kreun e SPAK-un, Altin Dumanin. Ky takim vjen në një moment kur SPAK ka hapur çështje konkrete ndaj zyrtarëve dhe ish zyrtarëve më të lartë në vend, ndërsa jo pak janë edhe sulmet ndaj sistemit të drejtësisë.
Tirana do të jetë në masa të rrepta sigurie për shkak të kësaj vizite. Disa prej rrugëve të kryeqytetit do të bllokohen deri më largimin e Sekretarit Blinken për në Aeroportin “Nënë Tereza”, po brenda ditës së enjte kur do të niset drejt Munihut.