Bllokimi i faqeve online. KSHM: Censurë e pastër që e çon Shqipërinë drejt vendeve si Arabia Saudite
Këshilli Shqiptar i Medias reagon ndaj bllokimit nga AKEP të qasjes në uebsajtin komunitar Medium.com si edhe të disa uebsajteve pornografike në Shqipëri.
KSHM arsyeton se AKEP nuk e ka tagrin ligjor për të bërë këto veprime dhe se vendimi është censurë e pastër, anti-ligjor dhe anti-kushtetues.
“Medium” është një blog ndërkombëtar ku me qindra njerëz postojnë artikuj dhe me mijëra të tjerë informohen përditë mes tyre. Uebsajti Medium qendroi i bllokuar për disa ditë, ndërsa ditën e martë akoma disa ISP nuk e kanë hapur aksesin në të.
Arsyeja e bllokimit të “Medium” ishte një ankimim në AMA e Z. Ermal Mamaqi për publikimin e disa linkeve për në sajtet pirate në këtë portal. Ndërsa rasti i uebsajteve pornografike kishte të bënte me publikimin e një videoje intime të një individi në formën e “revenge porn” (publikimit me qëllim dëmtimi të fotove apo videove intime të një individi). Nëse AMA ka kërkuar mbylljen e medium.com, veprimi i AMA-s do të ishte i jashtëligjshëm. Nëse AKEP e ka ndërmarrë vetë këtë vendim, prapë është veprim i jashtëligjshëm.
P.sh., Në rast se dikush poston në FB vjegëza të sajteve pirate, kjo nuk do të thotë që qeveria shqiptare duhet të mbyllë FB. Aq më tepër, që Medium.com ka një faqe ku qartazi mundësohet raportimi i shkeljes së të drejtave të autorit apo plagjiatura çka e bën akoma më të rëndë rekomandimin e AMA-s dhe censurën e AKEP.
Edhe në rastin e uebsajteve porno, AKEP nuk ka tagër ligjor të bllokojë krejt uebsajtin për një material të vetëm”, sqaron KSHM.
KSHM u bën thirrje organizmave ndërkombëtarë që të ndërhyjnë ndaj aplikimit të censurës në territorin shqiptar, si edhe mediave partnere që të raportojnë akte të tilla.
KOHA JONË SONDAZH

