Bllokimi i rrugëve/ 16 deputetë çohen në SPAK, 195 protestues nën hetim

Bllokimi i akseve kryesore në vend për 3 orë mbrëmjen e së hënës nga Partia Demokratike, ka shkelje të ligjeve. Policia e Shtetit ka nisur procedimet në pikat ku u zhvillua akti i mosbindjes civile. Mësohet se ka nisur procedimi në gjendje të lirë për 195 shtetas, përkatësisht 92 në Durrës, 36 në Fier, 33 në Tiranë, 20 në Elbasan dhe 14 në Lezhë. Janë shpallur në kërkim 5 shtetas, përkatësisht 3 në Elbasan dhe 2 në Tiranë. Nga ana tjetër, ka edhe një procedim në gjendje të lirë për 16 deputetë në Kuvendin e Shqipërisë (4 në Tiranë, 4 në Durrës, 3 në Fier, 3 në Elbasan dhe 2 në Lezhë) dhe për kryetarin e bashkisë Kavajë.

Incidenti i vetëm i rëndë u regjistrua në Tiranë, ku protestuesit dhe Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka u përplasën me policinë dhe efektivët e FNSH-së për pak minuta te Kthesa e Kamzës. Përplasjet verbale me policinë nuk munguan as në Elbasan, ku Tomorr Alizoti e Ivi Kaso kritikuan forcat e rendit, madje duke i akuzuar se provokuan protestuesit që kishin bllokuar rrethrrotullimin e Bradasheshit.

Protesta ishte në vazhdën e tubimeve që Partia Demokratike ka zhvilluar prej burgosjes së deputetit Ervin Salianji dhe gjatë së cilave është bërë thirrje për qeveri teknike, rrëzimin e Edi Ramës dhe lirimin e kryetarit të tyre Sali Berisha. “Kryefjala e çdo shqiptari, lajmet e agjencive botërore, ishin një dhe vetëm një, paralizimi prej 3 orësh i Shqipërisë nga veriu në jug. Për këtë më duhet të bëj një korrigjim: Në pamje të parë dukej se Shqipëria ishte e paralizuar për 3 orë, por mbrëmë Shqipëria ishte e çliruar për 3 orë. Dje Shqipëria rifitoi dinjitetin për 3 orë, por më e rëndësishmja, mesazhi i shpresës që ne u përcollëm qytetarëve, opozita nuk ka frikë nga narkoshteti”, tha Berisha

Njoftimi i plotë

Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera nga drejtoritë vendore të Policisë Tiranë, Elbasan, Durrës, Fier dhe Lezhë, në drejtimin e prokurorive përkatëse, për dokumentimin e paligjshmërive të kryera gjatë tubimeve të djeshme, në pikat lidhëse të këtyre qyteteve, si dhe për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorëve të tyre, ju informojmë se:

-Janë arrestuar 4 shtetas, 3 në Elbasan dhe 1 në Tiranë, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe/ose “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

-Janë referuar materialet në prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm, ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për 195 shtetas, përkatësisht 92 në Durrës, 36 në Fier, 33 në Tiranë, 20 në Elbasan dhe 14 në Lezhë. Janë shpallur në kërkim 5 shtetas, përkatësisht 3 në Elbasan dhe 2 në Tiranë.

-Janë referuar materialet në SPAK, ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për 16 deputetë në Kuvendin e Shqipërisë (4 në Tiranë, 4 në Durrës, 3 në Fier, 3 në Elbasan dhe 2 në Lezhë) dhe për kryetarin e bashkisë Kavajë, për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.

Ditën e djeshme, këta shtetas janë grumbulluar në pikat lidhëse të qyteteve Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier dhe Lezhë dhe kanë penguar qarkullimin e mjeteve. Gjithashtu, disa prej tubuesve kanë lënë automjetet e tyre në rrugë, me qëllim bllokimin e qarkullimit.

Vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, identifikimin e drejtuesve të automjeteve me të cilat u bllokua qarkullimi, si dhe në drejtimin e prokurorive kompetente, po hetohet për të identifikuar shtetasit e tjerë të implikuar në paligjshmëri gjatë këtyre tubimeve.

SHKARKO APP