Blushi: Agresorët e Tahirit të frymëzuar nga qeveria e djeshme
Një nga zërat më të spikatur të mazhorancës në parlament, deputeti Ben Blushi ka marrë në mbrojtje gjatë fjalës së tij në parlament, ministrin e Brendshëm, të cilit iu vu bombë në biznesin e të atit.
Ai tha se i sulmuar nuk ishte vetëm ministri Tahiri, por çdo deputet, i kujtdo krahu politik, pas sulmit të djeshëm.
Blushi u shpreh se frymëzuese e agresorëve është pikërisht opozita e sotme. Ai ka risjellë në vëmendje arrestimin e të atit të Saimirit, Bashkim Tahirin, në kohën e qeverisjes “Berisha”.
“Kjo është hera e dytë që sulmohet familja. E para herë që kanë dashur ta poshtërojnë, kanë marrë në shënjestër familjen, dhe ndaluan babain. Atëherë, dje, atij iu sulmua babai se ishte i kundërshtarit politik. Krimi mori borxh nga opozita e sotme dhe qeveria djeshme, shënjestrën, babain e Saimir Tahirit”, tha Blushi.
Deputeti socialist u është përgjigjur akuzave të opozitës në drejtim të Ministrit të Brendshëm për lidhje me krimin.
“Të gjithë ata që kanë patur dyshime dhe nuk kanë patur prova, kjo është e vetmja provë që ai po e bën punën. Bomba provon se ai e ka luftuar krimin, megjithëse pak i shkujdesur. Pse nuk e sulmoi krimi dje, kur nuk ishte në shtet, meqë thonë se ishte lidhur që në embrion me krimin, se atëherë ishte dhe pa pushtet dhe krimi e kishte më të lehtë”, replikoi Blushi.