Blushi, ambasadorëve: Mjaft dhunuat normat diplomatike dhe konventat

Tedi Blushi, zëdhënësi i kreut të shtetit, Ilir Meta ka bërë sot një deklaratë të fortë ndaj ambasadorëve në Tiranë që fusin hundët në punët e shtetit shqiptar në favor të kryeministrit.

Me një gjuhë direkte e pa nënkuptime zëdhënësi i Presidentit u përgjigjet qëndrimeve dhe ndërhyrjeve aspak diplomatike që ambasadorët kanë bërë në Shqipëri lidhur me zhvillimet politike.

Një pjesë e diplomatëve kërkojnë që çështja e Gjykatës Kushtetuese, ku duket qartazi qeveria ka shkelur ligji, të dërgohet në Komisionin e Venecias. Por ky nuk është rasti i vetëm kur diplomatët flasin me cilësi që nuk ua lejon mandati dhe as normat e detyrës së tyre. Fakti që diplomatët KËRKOJNË dhe NDËRHYJNË dhe bëjnë PRESIONE, njëlloj sikur të ishin aktorë politikë të zgjedhur apo institucione që paguhen nga qytetarët shqiptarë është një shkelje e konventave ndërkombëtare për marrëdhëniet diplomatike.

Zëdhënësi i Presidencës në reagimin e tij u kujton ambasadorëve se me leje të kujt ndërhyjë deri në vënien në diskutim të akteve shtetërore të institucioneve të Shqipërisë.

Reagimi i plotë i Zëdhënësit të Presidentit, Tedi Blushi:

“Presidenti Meta nuk ndalon asnjë ambasador të bëhet qesharak dhe karagjoz duke hyrë në debate juridike që nuk ekzistojnë, pasi Kushtetuta dhe ligji për Gjykatën Kushtetuese e kanë të shkruar qartë dhe prerë se Presidenti s’mund të bëjë dy emërime të menjëhershme në Gjykatën Kushtetuese.

Por Presidenti nuk i ndalon ata t’i drejtohen vetë Komisionit të Venecias e ta pyesin: Kush është me e rëndësishme, Kushtetuta e Shqipërisë apo Dvorani i Partisë?

Ndërsa Presidenti ka një pyetje për këta dhunues të çdo norme diplomatike dhe Konvente: A i keni marrë leje Kryetarit të shtetit tuaj kur hyni në lojërat e grupit të strukturuar diplomatik për të diskutuar dekretet e Kryetarit të një shteti që e ka shpallur Pavarësinë që në vitin 1912?!”.

SHKARKO APP