Blushi: Kandidatët për zgjedhjet lokale s’janë të PS-së, por vetëm të Edi Ramës
Nën drejtimin e Gramoz Ruçit është mbledhur sot Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, ku në fokus të diskutimeve ishte procesi i përzgjedhjes së kandidatëve për zgjedhjet lokale të 21 qershorit. Mbledhja u zhvillua me dyer të mbyllura. I vetmi nga deputetët që folën për mediat pas përfundimit të mbledhjes, ishte Ben Blushi.
“Është shumë vonë, emrat duhet të kishin dalë. Duhet më shumë transparencë. Ata nuk janë kandidatë të PS-së, por të një njeriu të vetëm”,- deklaroi Blushi.
Pritet që brenda kësaj jave kryeministri Edi Rama të shpallë listën e kandidatëve me të cilët koalicioni i majtë do të shkojë në zgjedhje. Vëmendja më e madhe është përqëndruar natyrisht te kandidati i Tiranës. Deri më tani, flitet se Erion Veliaj po shkon drejt konfirmimit për të udhëhequr këtë garë, por nuk përjashtohen edhe surprizat e minutës së fundit.