Blushi: Unë dhe Hafizi ikim nga PS. Nuk rrimë në qeveri me banditë e injorantë
Deputeti i Ben Blushi dhe Mimoza Hafizi nga sot nuk janë më pjesë e grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Faktin e ka bërë të ditur Ben Blushi teksa ka folur sot në Kuvend ku ka thënë se ai dhe Hafizi do të mbrojnë qytetarët duke lënë pas një rilindje që ka ushqyer vulgaritetin e parlamentit.
Partinë Socialiste ai e ka cilësuar si një ndërmarrje private dhe rilindjen si një ferr për të varfrit dhe burg për të mjerët.
“Dua të bëj me dije një vendim që kam marrë me Hafizin sot. Nuk jemi më deputetë të rilindjes, por dy njerëz të çliruar që kanë vendosur të ndahen nga e drejta e një qeverie për të qenë e padrejtë, vesi i politikës për të qenë e dhimbshme. Në PS nuk jemi dakord sakohë që besojmë se në themele të demokracisë është liria e zgjedhja e lirë. Është dita për të kujtuar se rilindja vendosi të zgjedhe me referendum atë që do e drejtonte sikur të ishte çëshjte e jo njeri, këtë e bëri një grup që i thotë shqiptarëve se nuk kanë të drejtë të bëjnë referendum për të rrëzuar ose miratuar importin e mbetjeve në Shqipëri. Unë e Hafizi nuk jemi as të parët e fundit që dalim nga një ndërmarrje private e cila ka vendosur që përveç pasurisë së ortakëve”,- tha Blushi.
Sipas Blushit, Rilindja fatkeqësi kombëtare qe duhet ndeshkuar me votë. Deklaratat e deputetit Ben Blushi kanë shkatuar reagime nga radhët e socialistëve. Duke folur në emër të grupit parlamentar të PS-së, nënkryetari Taulant Balla, teksa i uroi rrugë të mbarë i kërkoi që të dorëzojë mandatin e deputetit, pasi siç tha Balla, ia ka marrë socialistëve padrejtësisht.
Pas deklaratave të Ballës ka reaguar sërish Blushi. Ai tha se nuk mund të qëndrojë në një parti që është bërë si konvikt për kriminelë.
“Për këtë ditë solemne, duke u marrë me një rilindas, ka nja dy vjet në PS, bëhet një tender që vazhdon përditë. Çdo tender ka një kërkesë. Kush shan më shumë Blushin? Më shumë do jesh më shumë i pasur, por ë shumë i shpifur. E nisur nga keqardhja për atë që vjen, vendos të iki. Çfarë bëhet me mandatin tim. Ç’e dua unë këtë mandat, do ua kisha dhënë, Por pyetja që kam unë për sot është se kujt do kujt do ja jap unë këtë mandat? Elvis Rroshit, Armandos, Arben Ndokës, banditëve, që të vinë këtu dhe në këtë vatër. Me kë ta shkëmbej mandatin?”, u përgjigja Blushi.
Në replikë më Blushin, Balla tha se deputeti që u largua nga PS-ja duhet të ndryshojë gjuhën dhe të mos ngjajë me Lulzim Bashën.
“Të paktën ndrysho gjuhën. Mos fol si Luli. Të nisësh një projekt politik dhe të flasësh si Luli është projekti më i pashpresë. Sa për marrëdhëniet me votuesit, mua më vjen mirë që largohen deputetët turistë. Ata që marrin mandatin dhe nuk shkojnë asnjë ditë dhe nuk kanë asnjë marrëdhënie me ata që shkojnë në Kuvend”,- tha Taulant Balla.
FJALA E PLOTE E BEN BLUSHIT:
“Dua të bej sot me dije një vendim që kam marrë bashkë me kolegen time te nderuar, zonjën Mimoza Hafizi.
Nga sot zonja Hafizi dhe unë nuk do jemi më deputetë të Rilindjes.
Sot jemi të çliruar, si njerëz të lirë, të cilët kanë vendosur të ndahen nga e drejta e qeverisë për të qenë e padrejtë,nga tendenca e partive për të qenë private dhe nga vesi i ëshqiptare per të qenë e dëmshme.
Nëse doni një arsye po jua them: Ne vendosëm të largohemi nga një grup politik që zgjodhi të eliminojë zgjedhjet e lira.
Ne nuk bashkëjetojmë dot në një parti që nuk do zgjedhje.
Në fillim të këtij viti, për çudinë e gjithkujt, por jo tonën, Rilindja vendosi që në Partinë Socialiste të Shqipërisë të mos ketë më zgjedhje.
Ky ishte një akt pushtimi, me të cilin as kemi rënë dakord dhe as do biem kurrë dakord, pasi konkurrencën e lirë të ideve e konsiderojmë themelin e një shoqërie të bazuar mbi lirinë dhe demokracinë.
Besoj se është rasti këtu të kujtoj se në mënyrë absurde Rilindja vendosi që njeriu që do drejtojë Partinë Socialiste të mos zgjidhet me vota, por me referendum, sikur të ishte një çështje dhe jo një njeri, çka duket sot edhe më qesharake në kushtet kur të njëjtit njerëz që zgjodhën kryetarin e tyre me referendum, i mohojnë referendumin gjithë shqiptarëve, të cilët nuk janë dakord me importimin e mbetjeve në vend.
Megjithatë nuk jemi as të fundit dhe as të parët, të cilëve u rastisi të hyjnë në një parti demokratike, e cila u kthye në një ndërmarrje private, që përveç pasurisë së ortakëve, nuk respekton asnjë normë tjetër.Partia Socialiste nuk është as i pari dhe as i fundit aset publik që blihet nga disa aksionerë për t’u administruar si një biznes privat.
Natyrisht ky privatizim është një nga arsyet për të ikur me vrap. Ne besojmë se partitë duhet të jenë publike dhe vendimet e tyre të merren në mënyrë kolegjiale. Çdo gjë tjetër është një sipërmarrje që i shërben interesit privat dhe jo atij publik.
Megjithatë nuk është vetem kaq. Sigurisht që nuk është kaq pak.
Ne besojmë se Rilindja nuk ka mbrojtur asnjë ditë interesin publik, përkundrazi ka thelluar traditën e qeverisë së vjetër, duke mbështetur të pasurit kundër të varfërve, të fortët kundër të dobëtve, të ligjshmit kundër të paligjshmëve, duke nxitur kësisoj pabarazinë dhe polarizimin social, që është plaga më e thellë e një vendi, i cili po zhytet çdo ditë në depresion, në korrupsion dhe emigracion kronik, për shkak të qeverisjeve të dobëta dhe klienteliste.
A ka rast më tipik se sa vrasja e një fëmije që punonte në Sharrë, për bukën e gojës dhe për të cilin Rilindja nuk ka thënë qoftë edhe një ngushëllim, megjithëse ai humbi jetën duke punuar në një territor publik, për të cilin shteti ka përgjegjësi?
Shumë njerëz me siguri ikin nga Shqipëria për të shpëtuar fëmijet e tyre nga fati i Ardit Gjoklajt. Ne po bëjmë shumë me pak se ata: po ikim nga partia që nuk mbrojti Arditin, por vrasësit e tij. Çfarë duhej të na detyronte të bëheshim me pronarët kundër puntorëve? Asgjë, në asnjë rast! Ne zgjodhëm të mbrojmë Arditet, Rilindja zgjodhi të mbrojë importuesit dhe kjo na ndau.Megjithatë nuk është vetëm kaq.
Ne besojmë se Rilindja ka ushqyer me qëllim banalizimin dhe vulgarizmin e politikës, duke sjellë në këtë parlament si dhe në administratën shtetërore njerez që më parë kishin vrarë, kishin dhunuar dhe kishin trafikuar, duke e kthyer banditizmin në një normë shoqërore dhe duke i krijuar vendit imazhin e një xhungle, ku fiton i forti dhe ku humb gjithmonë ai që respekton ligjin.
Rilindja e ktheu Shqipërinë në një ferr për të varfërit, në një burg për të mjerët dhe një parajsë për spekulantët, kriminelët dhe shkelësit e ligjit. Ndoshta edhe pak më shumë se kaq: Parlamentin e Shqipërise e ktheu në konviktin më të madh politik të atyre që kërkohen nga drejtësia ndërkombëtare dhe atyre që duan t’i shpëtojne drejtësisë shqiptare.
Ne nuk duam të jemi bashkë me këta njerëz në një parti.Nuk kemi asnjë arsye të kthehemi në çadër të banditizmit që mbrohet nga shteti.
Ne largohemi sot si njerëz të lirë, të cilët besojnë se Rilindja i tradhëtoi me ndërgjegje të varfërit dhe shtresën e mesme të këtij vendi, duke marrë vazhdimisht masa që cënojnë jo vetëm besimin e tyre tek një rend demokratik, por duke i varfëruar ata edhe më shumë për shkak të masave represive, çnjerëzore, të cilat nuk ishin asnjë ditë reforma, por një eksperiment njerëzor që duhej të ushqente nënshtrimin para detyrimit dhe të testonte poshtërimin e dinjitetit në emër të delirit të pushtetit.
Rilindja beson se një vend duhet të ketë shumë të varfër dhe pak të pasur, kurse ne besojmë se një vend duhet të ketë sa më pak të varfër, në mënyrë që të ketë më shumë të pasur dhe në këtë çështje ndoshta nuk do jemi kurrë dakord.
Rilindja ka zgjedhur të mbrojë pakicën, ne duam të mbrojmë shumicën.
Ne jemi të bindur se Rilindja e cënoi me qëllim arsimin publik, duke lënë rrugëve mijëra fëmijë dhe studentë, në emër të të cilëve prindërit e tyre kishin paguar taksa për një të ardhme më të mirë se ajo që kishin patur.
Nëse një rregjim vendos t’i tradhëtoje qytetarët e vet, kete nuk e bën as tek ushqimi, as tek kurimi, as tek taksimi, as tek pensionimi, por tek arsimi. Ne këtë drejtim Rilindja është unike. Të gjitha qeveritë zakonisht tradhëtojnë të shkuarën. Rilindja ka vendosur të tradhëtoje të ardhmen, duke e nisur me arsimin, të cilin e degradoi krejtësisht. Kurrë një vend nuk ka prodhuar më tepër injorancë dhe mediokritet. Rilindja do mbahet mend si laboratori më i madh i injorancës në historinë e këtij vendi dhe nuk ka nevojë të shkojmë shumë larg: Shihni çfarë ka sjellë në parlament, për ta kuptuar dashurinë e Rilindjes për budallallëkun dhe injorancën.
A mund të bashkëjetonim ne në këto kushte?
Pothuajse e pamundur dhe e panevojshme.Ne jemi të bindur se Rilindja e ktheu në politikë shtetërore kanabizimin e vendit, duke shkatërruar ëndrrën e një vendi normal, që e bazon të ardhmen e vet mbi punën dhe meritën dhe jo mbi ekonominë e zezë, e cila po shton skllavërimin e të papunëve, po korrupton intistucionet dhe po ndez vatrat e konfliketeve hakmarrëse në mbrojtje të aktiviteteve ilegale.
Ne kemi qenë vazhdimisht kundër kanabizimit, por ai fitoi të drejtën e qytetarisë me shumicën e votave të Rilindjes dhe pa asnjë votë kundër. Kanabisi sot është e vetmja politikë ekonomike që Rlindja ka çuar deri ne fund me sukses të dukshëm dhe të merituar.
Vetem kaq do mjaftonte për të ikur nga Rilindja me vrap dhe nëse une kam një pendesë, është si nuk e kam bërë këtë më përpara. Nëse diçka më ka mbajtur, ka qenë nevoja për të kuptuar deri ne fund dëmin dhe peshën e tmerrshme mbi shoqërinë, por ndoshta dhe shpresa se diçka mund të ndryshojë.
Por sot nuk kam më shpresë dhe dua t’i them gjithë shqiptarëve që Rilindja është një fatkeqësi kombëtare, e cila duhet ndëshkuar me votë.
Për këtë arsye kemi vendosur t’i bashkohemi me mijra shqiptarëve të tjerë, të cilët besojnë se vendi ka nevojë për një projekt të ri politik, i cili garanton barazi, drejtësi, mbrojtje të interesit publik dhe mbi të gjitha modesti.
Ne besojmë me bindje se Shqipëria sot është më e gatshme se kurrë t’i bashkohet një iniciative politike, e cila ju jep mundesi njerëzve të zakonshëm ta drejtojnë Shqipërinë.
Dhe kjo është ajo që do bëjmë: një projekt për njerëzit e zakonshëm, të cilët nuk ndahen për shkak të pasurisë, por bashkohen për shkak të drejtësisë së bindjeve të tyre.
Po ikin nga një parti e cila për fat të keq nuk mbrojti Arditin, por vrasësin e tij. e kanë kthyer për fat të keq banditizmin dhe dhunën në një normë shoqërore, që kanë krijuar imazhin e një vendi jo normal, si një xhungël, ku kudo fiton i forti dhe jo ligji. Ne nuk mund të jemi bashkë me këta njerëz në një parti. Nuk mund të jemi në një parti me banditë, trafikues, përdhunues. Largohemi sot si njerëz të lirë, pasi besojmë se rilindja i tradhtoi me ndërgjegje të varfrit. Rilindja ka zgjedhur të mbrojë pakicën në vend të shumicës.
Rilindja e ndëshkoi qëllimisht arsimin publik për të favorizuar atë privat, duke lënë rrugëve mijëra maturantë. Duke tradhtuar shkollat ke tradhtuar të nesërmen. Nuk besoj se ky vend në historinë e vet ka prodhuar më shumë injorancë se sot. Nuk është nevoja të shkoj nëpër universitete, por mjafton të shoh në këtë grup parlamentar, se mjafton të shohim kë solli rilindja këtu.
Kanabisi sot është e vetmja politike ekonomike për fat të keq për të cilin rilindja ka patur sukses të merituar dhe të dukshëm. Kaq mjafton për të ikur me vrap, edhe pse s’e kam bërë më para, ka patur një pendesë sigurisht, e kam bërë për të kuptuar se deri ku shkonte. Rilindja është një fatkeqësi kombëtare që duhet ndëshkuar me votë. Bashkë me hafizin kemi vendosur t’i bashkohemi mijëra shqiptarëve që mendojë se vendi ka nevojë për një iniciativë të re, që i jep mundësi njerëzve t zakonshëm të Shqipërisë. Dhe kjo është ajo që do bëjmë, një projekt për njerëzit e zakonshëm, që nuk mund të ndahen mes tyre për shkak të pasurisë, por që bashkohen përmes bindjeve. Gjë që ju nuk e keni”.