Boçi: Kodet e sigurisë së kutive të votimit janë hedhur në rrugë
Përfaqësuesi i PD-së Luçiano Boçi, duke iu përgjigjur të ftuarit Arbian Mazniku, ka treguar në studion e ‘Çim Peka LIVE’, një kod sigurie të një prej kutive të votimit.
Boçi tregoi se këtë kod sigurie, ja kishte dhënë një qytetar i cili e kishte gjetur në rrugë.
“Duke ardhur në studio më merr në telefon një qytetar. Ky është një kod sigurie, i vendosur në një kuti votimi. Por ky kod është shkëputur dhe u hodh në rrugë. Këto janë kode që futen në kutinë e materiale zgjedhore. Atëherë për çfarë mbështetje popullore mund të më thuash ti.
Kjo është një rastësi. Unë kam parë policinë të eskortojë, të shpërndajë para. Unë po të bind me një fakt të thjeshtë, të sjellë nga një qytetar. Ky është një kod sigurie, kush më siguron mua që kutia nuk është thyer”, tha Luçiano Boçi.
Në ‘Çim Peka LIVE’ në SYRI TV po diskutohet në lidhje me zgjedhjet e 25 prillit.
Gjatë debatit mes të ftuarve, Luçiano Boçi nga PD është shprehur se PS ka shpërndarë para në zonat rurale, por edhe në qendër të qyteteve.
Sipas tij, policia i ka shoqëruar shpërndarësit e lekëve.
“Nuk prisja ndonjë përgjigje tjetër nga Mazniku. Në vazhdimësi ne kemi denoncuar raste ku mësuesit janë kërcënuar që të dorëzojnë kartat e identitet. Kemi raste kur janë hapur vende pune me kontratë.
Bashkitë dhe Bashkia e Tiranës kanë shtuar strukturën mbi kapacitete, duke hapur vende pune me kontratë. Këto janë përgatitje për vjedhjen e votës dhe deformimit të vullnetit të zgjedhësve.
Njerëz të lidhur me PS, kanë shpërndarë para në zonat rurale dhe në qendër të qyteteve. Ata janë shoqëruar nga patrulla policie dhe ne kemi informacione të sigurta.
Industria e vjedhjes së votës u projektua në Durrës, Shijak e Dibër dhe u perfeksionua në të gjithë Shqipërinë në 2021″, tha Boçi gjatë debatit në ‘Çim Peka LIVE’ në SYRI TV.