Boçi për ”KJ”: Koalicionet përmbysin Ramën. PD kujdes nga kurthet, kurse aksioni final…

Nga: Redjon Shtylla

Marrëveshja mes Partisë Socialiste dhe opozitës në Kuvend garanton në një farë mënyre miratimin e paktit të 5 Qershorit por vë opozitën reale, atë politike përballë faktit të kryer të hapjes së listave dhe ndalimit të koalicioneve. Duket se rrugët sipas analistëve politikë janë dy. E para që opozita të përballet me çdo mjet me pushtetin e kryeministrit Edi Rama deri në largimin e tij e që të çon në përplasje fizike dhe e dyta që të përgatitet për zgjedhje bashkë me Ramën. Si do të luftojë PD-ja bashkë me aleatët?

“Koha Jonë”, kontaktoi me ish-deputetin e PD-së, Luçiano Boçi, i cili që në fillim thotë se kreu i qeverisë nuk ka bërë marrëveshje reale politike por dakordësi midis padronit politik dhe shërbëtorit politik. Nga ana tjetër, Boçi sqaron se opozita e vërtetë, pra PD-ja dhe aleatët e saj, as kanë qenë dhe as janë kundër listave të hapura.

Ai nënvizon se Rama përdor teorinë e listave të hapura si varkë shpëtimi për të mos lejuar koalicionet parazgjedhore, që sipas tij e përmbysin atë në mënyrë spektakolare. “Rama nuk i ka seriozisht listat e hapura sepse formula e gjetur për to, është një fiasko e plotë. Madje do thoja që hapja klasike e tremb atë akoma më shumë. Prandaj sot s’mund të ketë një debat për listat”.

Për rrugën që do të ndjekë opozita, ish-deputeti bën të ditur se: “Përsa i takon përballjes me të, ajo duhet të jetë komplekse dhe nuk përjashton asnjë lloj apo natyrë të aksionit politik. Por njëkohësisht shmangia e kurtheve është domosdoshmëri. Në këtë situatë kaotike një gjë është e qartë: Rama është i ikur pavarësisht si ai e jeton agoninë e vet”.

Prononcimi i plotë nga ish-deputeti i PD-së, Luçiano Boçi

Marrëveshja nuk ka vlerë sepse nuk është marrëveshje politike midis pozitës dhe opozitës. Ajo është një marëveshje midis padronit politik dhe shërbëtorit politik. Gjithsesi duhet sqaruar një moment i rëndësishëm. Opozita e vërtetë, pra PD dhe aleatët e saj, as kanë qenë dhe as janë kundër listave të hapura. Ne jemi për respektimin e plotë të 5 Qershorit.

Rama përdor teorinë e listave të hapura si varkë shpëtimi për të mos lejuar koalicionet parazgjedhore që e përmbysin atë në mënyrë spektakolare. Rama nuk i ka seriozisht listat e hapura sepse formula e gjetur për to, është një fiasko e plotë. Madje do thoja që hapja klasike e tremb atë akoma më shumë. Prandaj sot s’mund të ketë një debat për listat.

Debati duhet të përqëndrohet tek rrugët e pista e shtigjet që po kërkon Rama për të shmangur ndëshkimin që e pret dhe që duket i sigurtë. Në çdo formulë të shpikur nga ai, humbjen e ka të sigurtë. Përsa i takon përballjes me të, ajo duhet të jetë komplekse dhe nuk përjashton asnjë lloj apo natyrë të aksionit politik. Por njëkohësisht shmangia e kurtheve është domosdoshmëri. Në këtë situatë kaotike një gjë është e qartë: Rama është i ikur pavarësisht si ai e jeton agoninë e vet.

SHKARKO APP