Boçi: ”Vrasësit e arsimit” kudo në Shqipëri, paskan kapur ”vrasësit” e Rinasit
Për protestën në Rinas dhe për apelin e ministres së Arsimit, që prindërit të mos i marrin fëmijët me vete në protestë, por ti lënë që të shkojnë në shkollë, i është kundërpërgjigjur deputeti i PD-së, Luçiano Boçi. Ai shtron pyetjen sesi mund të vijojë një nxënës mësimin normal, kur jeta në familjet e tyre nuk rrjedh normalisht. ”Këta “vrasësit e arsimit” kudo në Shqipëri, paskan kapur “vrasësit”e Rinasit. Paskën gjetur fajtorë në parajsën e varfërisë. Banalitet i miksuar me arrogancë ky! Privuesit e vërtetë janë ata pushtetarët”,-shkruan Boçi në facebook.
Postimi i plotë
KUR TË DETYROJNË TË BËSH “DIVERSANTEN”
Po përdor këtë termin e dashur shumë për pushtetarët e sotëm, si requiem i së kaluarës nostalgjike të tyre. Tani me efekt të kundërt. E di që Ministrja e bën me pasion këtë rol të detyruar si shumë shpesh të tjera.
Madje kalon çdo parashikim: Akuzon prindërit e fëmijëve të shkollës “Rexhë Deliu” në Rinas, nuk e di me çfarë kuraje, sepse këta po privonin fëmijët e tyre nga e drejta kushtetuese për arsimim duke i bërë pjesë të protestës. O Zot çfarë arsyetimi? Këta “vrasësit e arsimit” kudo në Shqipëri, paskan kapur “vrasësit”e Rinasit. Paskën gjetur fajtorë në parajsën e varfërisë. Banalitet i miksuar me arrogancë ky! Privuesit e vërtetë janë ata pushtetarët.
Vetë Kryeministri, ministrja, shpura e tyre e ARRSH-së që nuk pyesin fare që në Rinas, në Shqipëri ka udhëtarë por ka dhe njerëz, të rritur e fëmijë që jetojnë përditshërinë e tyre e normalitetin e tyre. Dhe ti nuk mund t’ia prishësh ashtu tak-fak jetën e përditshme pa një projekt, pa një paralajmërim, pa një konsultim, pa një miratim me komunitetin. Dhe pa një zgjidhje alternative.
Si mund të vijojë një nxënës mësimin normal, kur jeta në familjet e tyre nuk rrjedh normalisht, kur prindërit jetojnë anormalitetin e pushtetit, për shkak të abuzivizmit e arbitraritetit me jetën e njerëzve?! Ministre na e kurse diversionin e pa logjikë dhe bëhu njëherë të vetme shprehëse e interesave të nxënësve dhe prindërve.