Boldrini dhe Valentina Leskaj vlerësojnë lart marrëdhëniet mes dy vendeve
Presidentja e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit të Italisë, Laura Boldrini zhvilloi një vizitë në qytetin e Kukësit. Në këtë vizitë znj. Laura Boldrini shoqërohej nga Nënkryetarja e Kuvendit, Valentina Leskaj si dhe nga një grup deputetësh të Kuvendit.
Me propozim të Kryetarit të Bashkisë, Bashkim Shehu, dhe me votim unanim të Këshillit të Bashkisë, Kryetari i Këshillit bashkiak, z. Lavdrim Shehu, i dha znj. Boldrini titullin “Qytetare nderi” e Bashkisë Kukës, me motivacionin “për kontribut dhe humanizëm të veçantë në menaxhimin e krizës së vitit 1999 gjatë shpërnguljes masive të popullsisë së Kosovës”.
Në fjalën e saj të mbajtur me këtë rast, Presidentja e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit të Italisë, znj. Laura Boldrini shprehu mirënjohjen për këtë vlerësim, ndërsa vlerësoi qytetarët e Kukësit për ndihmesën që dhanë gjatë krizës së vitit 1999.
“Jam mirënjohëse që jam sot këtu dhe që më nderoni sot me titullin “Qytetare nderi” e Kukësit. Dua ta ndaj këtë nder që më bëhet mua sot këtu me të gjithë ata që ishin të pranishëm në vitin 1999 dhe që e mbështetën fort popullsinë lokale këtu për të mikpritur dhe për të ndihmuar të gjithë ata që erdhën nga Kosova. Unë jam një përfaqësuese e thjeshtë e atij komuniteti të madh dhe sapo të kthehem do të njoftoj për këtë vlerësim që më është bërë edhe UNHCR-në. Siç e thashë edhe dje, ishte diçka e jashtëzakonshme. Ishte diçka unike sa i takon reagimit ndaj atij fluksi që po ikte nga ajo që po ndodhte në Kosovë”, tha znj. Boldrini.
Nënkryetarja e Kuvendit, Valentina Leskaj falënderoi znj. Boldrini për kontributin që ka dhënë gjatë kohës së krizës dhe theksoi se Italia ka qenë dhe është një avokate e fuqishme e Shqipërisë.
“Presidentja Boldrini e ka Kukësin natyrisht në zemër, Tropojën në zemër. Natyrisht Shqipërinë dhe shqiptarët. Kjo nuk është e rastësishme. Vjen mbi një shtrat të hershëm të marrëdhënieve të Shqipërisë me Italinë. Kjo miqësi, këto marrëdhënie kanë një shtrat të qëndrueshëm, sepse Italia ka qenë gjithmonë e para në krah të Shqipërisë dhe të shqiptarët në ditët më të vështira. Nuk ka qenë thjesht çështje programesh apo projektesh, nuk ka qenë çështje financimesh, por ka qenë partneritet edhe njerëzor, i cili ka bërë që shumë italianë të punojnë në çdo cep të Shqipërisë. Mesazhet e kësaj vizite janë shumë të rëndësishme dhe protokolli i bashkëpunimit me Parlamenti shqiptar dhe Parlamentit italian do t’i japë një dinamikë të re bashkëpunimit mes dy parlamenteve, por besoj se kjo shkon edhe përtej. Ne kemi fatin që të kemi një avokate. Italia ka qenë dhe mbetet një avokate e Shqipërisë për proceset integruese në Bashkimin Europian. Italia është shumë e rëndësishme për ne për ndihmën që na ka dhënë dhe jam e sigurt që në të ardhmen do të na japë edhe më shumë sa i përket plotësimit të reformave dhe detyrimeve të proceseve integruese”, tha znj. Leskaj.
KOHA JONË SONDAZH

