Botërori i mundjes, Veliaj: Kemi energjinë për ta kthyer Tiranën në një qytet për të gjithë

Tirana mirëpriti për herë të parë botërorin e mundjes për moshën 23-vjeç dhe të rritur, në peshat jo olimpike. Me pjesëmarrjen e 2300 sportistëve nga 80 shtete, ky aktivitet i madh sportiv u zhvillua në sallën sportive ”Feti Borova” në Parkun Olimpik në Tiranë. Teksa vlerësoi fuqinë e sportit për të bashkuar njerëzit, kryebashkiaku Erion Veliaj vlerësoi organizimin e këtij aktiviteti në kryeqytet.

”Ishte një kënaqësi e jashtëzakonshme që kemi pritur në Tiranë dhjetëra shtete, nga të gjithë cepat e botës, dhe pavarësisht se politika ka bindje të ndryshme, ca janë majtas, ca janë djathtas, ca janë në veri, ca janë në jug, ca janë në Azi, ca janë në Amerikë, rëndësi ka që sporti na bën të gjithëve bashkë. Dua ta falenderoj me gjithë zemër Sahit Prizrenin dhe skuadrën tonë të Federatës së Mundjes, për një organizim të jashtëzakonshëm”, tha ai.

Veliaj u shpreh se rezultatet e shkëlqyera të arritura në Olimpiadën e Parisit, janë vetëm fillimi i një ëndrre të bukur. ”Shpresoj shumë që ajo që ne arritëm në Paris, të jetë vetëm fillimi i një ëndrre të bukur, fillimi i një projekti të bukur, fillimi i një historie të bukur. Fillimi i një historie ku rinia merret me sport, ku fëmijët dhe të rinjtë rrinë larg rrugës, larg kafeve, larg iPhone dhe iPad, merren më shumë me njeri-tjetrin, kuptojnë që jeta ka humbje, jeta ka dhe fitore, asnjë nuk është e përjetshme, edhe humbja dhe fitorja kanë ato etapat e tyre, por mbi të gjitha formojnë karakterin tonë.

Sot kemi lirinë që të merremi me sport, sot kemi një liri të merremi me bindjet tona, por mbi të gjitha kemi energjinë e jashtëzakonshme për ta kthyer Tiranën në një qytet për të gjithë”, tha kryebashkiaku Veliaj. Ky kampionat, përkon dhe me zhvillimin e Kongresit Botëror të Mundjes në vendin tonë, ku marrin pjesë mbi 200 delegatë, që përfaqësojnë 117 shtete të botës.

SHKARKO APP