Braçe i ashpër kundër qeverisë në Kuvend: Toka s’mund të jetë qokë për shokë e as për klientë
Deputeti socialist, Erion Braçe, me një ton të ashpër akuzoi Ministrinë e Bujqësisë se po abuzon me qiratë e tokave bujqësore.
Braçe dha disa shembuj kontratash mes kompanive dhe ministrisë për toka që nuk janë mbjellë produkte bujqësore dhe nuk janë shfrytëzuar në të mirë të qytetarëve.
“Tani do rikthehem të bëj populistin prapë, u mundova shumë të kaloja në realizëm por nuk të lënë. Një ministër që nuk kontrollon dot territorin, ose është i mbushur me dembelë ose nuk po bën punën. Nuk keni bërë asnjë takim. Sipërfaqja 100 ha ka qenë e lirë, pse nuk është shfrytëzuar, ka marrë tokë me qira PRAGMA dhe e bënë luleshtrydhe. Kjo është toka me ferra dhe e papërdorur. Ai ka mbjellë plepa dhe toka është e zënë për 40 vjet. Kjo tokë që shumë mirë mund të përdoret për grurë. Ja ky tjetri e kultivon tokën, e kishte grurë, po e mbjell misër, ky është problemi me kontratën tuaj. Agro Fish Hoti ka dështuar jo prej Covidit por prej kontraktuesit tuaj. Ndërsa një investitor tjetër në këtë territor po ndërton sera. 100 hektarë, për shkak të temperaturave po zhvendos prodhimin nga Spanja në Karavasta. Këta njerëz duhen mbështetur, jo ata që bëjnë asgjë. Në kontratën tjetër me ‘Farm Albania’ shpk 120 mijë lekë dhe një punëtor të regjistruar veç ata në ministri mund ta bëjnë. Ka pezulluar statusin në QKR, mund ta di se çfarë është bërë kësaj kohe? Toka nuk mund të jetë qokë për shokë e as për klientë, nuk mund të jetë qokë për këshilltarin. Është njëri që flet nga selia e presidencës. Toka në jug përfundoi në duar të tilla, prej asaj interpelance asgjë nuk ka ndodhur. A ka vlerë fjala zonja ministe? Nuk rritet tatimi kur çmimet e mallrave rriten”, tha Braçe.
“Do kishte qenë më efikase për kohën nëse do të mi sillnit zyrën time. Ne kemi punuar shumë fort nga 2013 e këtej. Ky zinxhir patjetër që ka vend për përmirësim, për dinamikë shumë të sinqertë mes njëri-tjetrit. Por ministria ka në dispozicion vetëm disa instrumente. Mund të punojmë bashkarisht për ta përmirësuar, por jo t’i shkojmë ndryshe. 24% më shumë eksporte nga 6 mujori i kaluar. Kjo vjen nga puna dhe ky zinxhir i krijuar bashkarisht”, tha ministrja Krifca.