Braçe: Nëse dezinformimi nuk adresohet, mund të ndikojë në zgjedhje
Deputeti Erion Braçe, kryetar i Komisionit të Dezinformimit, deklaron se nëse nuk adresohen boshllëqet ligjore për dezinformimin në internet, mund të ketë ndikim në zgjedhje. Në një prononcim për gazetarët, Braçe përmendi rastin e Rumanisë, ku ka pasur akuza për ndikim në zgjedhjet e mbajtura ditë më parë.
“Pas çdo seancë dëgjimore, kam thënë atë që figuron si fakt. Për shembull, pasi referoi në komision Autoriteti Kombëtar i Komuniteteve Elektronike, u evidentua se ka boshllëk ligjor që ky aktivitet të merret me mbylljen e këtyre adresave. Komisioni funksionon mbi bazën e një plani pune, që është publik. Pa u përmbyllur seanca dëgjimore, s’mund të kalonim në adresim të problematikës.
Ndryshimet ligjore duhet të vijnë edhe nga partnerë të tjerë si shoqatat e mediave, ekspertët e ekonomisë. Ka një fluks të parasë në zgjedhje dhe nuk adresohet problematika e identifikimit të burimeve të të tretëve. Nëse ky boshllëk ligjor nuk do të mbushet deri para zgjedhje, do të ketë probleme në financimin e fushatave elektorale dhe problem në dezinformim. Rasti i Rumanisë që ishte në zgjedhje, u përdorën instrumentat e dezinformimit që të deformojnë rezultatin e zgjedhjeve”, tha Braçe.