Braho: SHISH përgjon titullarë nën hundën e prokurorisë
Shërbimi Informativ Shtetëror dyshohet të ketë përgjuar titullarë institucionesh.
Kreu i Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho deklaron se prej dy vitesh ky institucion nuk jep llogari në Parlament, ndërsa ka dyshime se nën hundën e prokurorisë ka përgjuar titullarë institucionesh e zyrtarë të lartë.
Sipas Brahos, SHISH ka dy vite që nuk raporton në Kuvend, ndërsa më herët ka refuzuar edhe kontrollin parlamentar.
Kreu i Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho ka deklaruar se duhen bërë menjëherë ndryshimet ligjore për raportimin e agjencive inteligjente, pasi SHISH refuzon kontrollin dhe llogaridhënien.
‘’Ka dy vjet e ca që Shërbimi Informativ Shtetëror, nuk raportojnë në Kuvend. Madje edhe një tentativë që u bë për të kontrolluar veprimtarinë për zbatimin e ligjit të financmit, u refuzuar edhe prej tyre dhe falë edhe indiferencës së qeverisë edhe strukturave parlamentare, kjo gjë mbeti në heshtje’’ u shpreh Braho.
Më tej Braho ngre edhe shqetësimin se ka dyshime se Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH), nën hundën e Prokurorisë ka përgjuar titullar institucionesh, por këto aludime, sipas tij, duhen vërtetuar.
‘’Ka pasur sinjalizime të forta, që nën hundët e Prokurorisë janë bërë përgjime për titullarët e institucioneve të tjera, por këto mbeten në kuadrin e hamendësimeve dhe që priten të verifikohen’’, vazhdoi më tej Braho.
Deklaratat e kreut të komisionit të Sigurisë, Spartak Braho u bënë gjatë tryezës ‘Kuvendi dhe Institucionet e pavarura’.
I pranishëm në këtë tryezë kreu i Kuvendit Ilir Meta tha se demokracia jonë ka nevojë për kulturë bashkëpunimi dhe solli si shembull reformën në drejtësi si aktin më të rëndësishëm të përfshirjes së shumë institucioneve./Report Tv
KOHA JONË SONDAZH

