Braimllari: Kajmaku, zgjedhje dhe përgjegjësi e Ramës. Duhen zgjedhje të parakohshme
Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Endrit Braimllari, përmes një deklarate për mediet, tha se vendimi i KQZ-së për heqjen e mandatit të Agim Kajmakut si kreu i Bashkisë së Vorës, tregon se ai është zgjedhje dhe përgjegjësi e kryeministrit Edi Rama. Nga ana tjetër, ai tha se e vetmja zgjidhje e krizës janë zgjedhjet e parakohshme. ”Ai është i vetmi kryeministër që nuk mban përgjegjësi, për rrënimin ekonomik të vendit, për koncesionet klienteliste, për trafikun qeveritar të drogës, për moshapjen e negociatave dhe tani nuk mban as përgjegjësi për kandidaturat personale që i ka propozuar po vetë me rekorde kriminale. Zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje, shqiptarët duhet të vendosin, shqiptarët nuk mund të pranojnë kriminelë në pushtet”.
Deklarata e plotë
Largimi i Agim Kajmakut vulosi edhe një herë që votimet e 30 qershorit ishin kriminale dhe moniste. Agim Kajmaku është zgjedhje dhe përgjegjësi personale e Edi Ramës. Edi Rama deklaronte në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare se kishte përzgjedhur kandidaturat më të mira, më të pastra të cilat do t’i shërbenin qytetarëve të vendit.
Edi Rama i prezantoi në votimet moniste të 30 qershorit, si njerëz të pastër, punëtorë dhe madje shprehej se ishin të ngjashëm me të. Edi Rama është përgjegjësi i vetëm pasi në mënyrë të qëllimtë në funksion të strategjisë së tij kriminale vendosi, kandidimin e Agim Kajmakut, Valdrin Pjetrit e plot të tjerëve. Edi Rama dhe i vetëm në votime, nuk vendosi kandidatura të pastra për t’i shërbyer qytetarëve.
Ai është i vetmi kryeministër që nuk mban përgjegjësi, për rrënimin ekonomik të vendit, për koncesionet klienteliste, për trafikun qeveritar të drogës, për moshapjen e negociatave dhe tani nuk mban as përgjegjësi për kandidaturat personale që i ka propozuar po vetë me rekorde kriminale. Zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje, shqiptarët duhet të vendosin, shqiptarët nuk mund të pranojnë kriminelë në pushtet. Faji dhe përgjegjësia e Edi Ramës është e provuar botërisht dhe ai duhet të largohet.