Braimllari: Në 2 mars për të mbrojtur Shtetin, Rama kërkon Kushtetutën e Surrelit

Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Endrit Braimllari ka treguar arsyet se pse kjo forcë politike vendosi që ti bashkohej tubimit të thërritur nga Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, në datën 2 mars. Në një intervistë për ”Fax News”, ai thekson se kjo që ka ndodhur me Reformën në Drejtësi në vendin tonë është një grusht i pastër shteti. ”LSI do të jetë në mbështetje të këtij tubimi, për shkak se ajo bëhet për të instaluar njëherë e mirë shtetin e së drejtës në Shqipëri. Kemi të bëjmë me një bandë deputetësh në Kuvendin e Shqipërisë, kemi një parlament karagjozësh, deputetët mbrojnë interesin e krimit të organizuar”.

Do jetë LSI mbështetëse e kësaj proteste?

Ka disa deklarata të drejtuesve të LSI që do të jemi në mbështetje të këtij tubimi, sepse ashtu sikurse është thirrur nga Presidenti i Republikës, bëhet për të mbrojtur Kushtetutën e vendit, për të instaluar njëherë e përgjithmonë shtetin e së drejtës në Shqipëri. Nga faktet e fundit që janë tronditëse, që kanë dalë nga institucioni i Presidentit të Republikës, janë vërtetuar që kemi të bëjmë me një grup të strukturuar kriminal, duke filluar nga Kryeministri, ministrja e Drejtësisë, Ardian Dvorani dhe shumë nëpunës të tjerë që drejtohen drejtpërdrejt nga Edi Rama për të falsifikuar të gjithë procesin se si do të bëheshin emërimet në Gjykatën Kushtetuese, por kemi të bëjmë me një bandë deputetësh të Kuvendit shqiptar që për fatin tonë të keq është totalisht ilegjitim, një Parlament karagjoz që nuk është aty për të mbrojtur interesat e qytetarëve, por deputetët mbrojnë interesat e krimit të organizuar.

Pjesa më e madhe e deputetëve të Rilindjes janë pjesë e strukturave kriminale, por me ligjin e fundit për të rrënuar njëherë e përgjithmonë Gjykatën Kushtetuese, u tregua që këta deputetë nuk mbrojnë interesin e qytetarëve, nuk janë aty për të hartuar ligje, por mbrojnë interesin e një bande që drejtohet nga Edi Rama. Kushtetuta e vendit është themeli i funksionimit të çdo institucioni, ndaj thirrja e këtij tubimi është qytetar. Ne do të marrim pjesë si qytetarë, së bashku me familjet tona. Nga komunikimi që kam me qytetarë të Tiranës dhe anë e mbanë vendit, ka një klimë shumë shumë pozitive, sepse qytetarët mezor e prisnin një thirrje të tillë për të mbrojtur Kushtetutën.

Propagandon me të madhe Edi Rama për sistemin e drejtësisë së pavarur, por nuk ka të tillë. Ka thjeshtë një drejtësi të kapur nga Edi Rama, i cili përdor si falsifikatore Etilda Gjonajn që duhet të mbajë përgjegjësi të drejtpërdrejtë dhe unë habitem sesi reformat e reja në drejtësi nuk kanë pezulluar apo ta çonin prapa hekurave Dvoranin, sepse duhet të zbatojnë ligjin. Po ashtu edhe Etilda Gjonajn që falsifikon Protokollin dhe dokumentacionin tjetër përkatës. Kemi të bëjmë me një grusht shteti që drejtohet nga Edi Rama që përdoret për të kapur dhe atë që historikisht në vendin tonë ka qenë e pavarur.

Ne kemi pasur Gjykatë Kushtetuese që ka marrë vendime edhe kundër mazhorancës. Ky kërkon që t’i ketë të gjitha në dorë që nesër të mos ketë kontroll mbi qeveri, por jo mbi paligjshmërinë e tij, për lidhjen e tij me krimin e organizuar, për ligjet klienteliste që kalon në Parlament, por të ketë kontroll dhe drejtpërdrejt mbi jetën e qytetarëve. Sepse Gjykata Kushtetuese është themeli i të drejtave të çdo qytetari në këtë vend. Edi Rama ka shkatërruar shtetin e së drejtës, ka rrënuar njëherë e përgjithmonë Gjykatën Kushtetuese dhe ky tubim nuk ka të bëjë me emra, por ka të bëjë me mbrojtjen e shtetit të së drejtës.

Në këtë rast Presidenti i Republikës, apo institucioni i Presidencës është në interesin e qytetarëve për të mbrojtur Kushtetutën e këtij vendi, sepse Kushtetuta është e paprekshme. Gjykata Kushtetuese duhet të jetë e pavarur, sepse aty burojnë të drejtat themelore dhe aty kemi dhe kontrollin mbi qeverinë, paligjshmërinë.

E kam dëgjuar shpeshherë këto kohë që është një rast i paprecedent. Rast i paprecedent është mënyra sesi Edi Rama ka kapur dhe ka shkatërruar Gjykatën Kushtetuese dhe Kushtetutën e këtij vendi, duke e bërë Kushtetutë personale të Surrelit. Ne me Edi Ramën kryeministër, nuk kemi Kushtetutën themelin e funksionimit të shtetit të së drejtës në këtë vend, por është Kushtetutë personale e Edi Ramës që e ka bazën në Surrel, aty ku ai merr vendime. Pra vendimi i Edi Ramës është i paprecedent, nuk ka ndodhur në historinë e këtij vendi. Do ta kishte zili dhe Enver Hoxha këtë lloj funksionimi.

SHKARKO APP