Braimllari: Vendimi i KAS, politik dhe në shërbim të Rilindjes. Betejës do t’i shkojmë deri në fund
Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve, pas tërheqjes për marrjen e vendimit, ka hedhur poshtë pretendimin e Partisë Demokratike, Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe kandidatit të pavarur Kreshnik Merxhani, për të shpallur të pavlefshëm rezultatin e zgjedhjeve në Qarkun Gjirokastër. Në një deklaratë për mediat, sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Endrit Braimllari tha se ky vendim tregon se KAS është në shërbim të Rilindjes. Nga ana tjetër, ai tha se betejës do ti shkojnë deri në fund.
Deklarata e plotë
Vendimi i sotëm i Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve është arbitrar, i njëanshëm, politik në shërbim të Rilindjes. Shqiptarët sot janë dëshmitarë që 25 prilli ishte një masakër e vërtetë elektorale. Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve u shndërrua në një avokat të krimit zgjedhor të rilindjes, të kapjes së zgjedhjeve dhe shtetit duke mohuar të drejtën kushtetuese të qytetarëve për të votuar.
Vendimi anti kushtetues dhe tërësisht politik i Komitetit të Ekspertëve i mohoi në mënyrë të njëanshme dhe cënoi të drejtën e votës për mijëra qytetarë shqiptarë që janë jashtë kufijve dhe pak orë pas përfundimit të zgjedhjeve e tërhoqi këtë vendim duke treguar qartë që ishte një vendimmarrje politike. Provat e bëra publike nga LSI, sesi përfaqësues të Rilindjes në Gjirokastër, anëtarë të komisioneve zgjedhore dhe numërues kanë hyrë në Shqipëri pas datës 19 prill dhe nuk iu janë nënshtruar karantimit duke thyer vendimin e Komitetit Politik të Ekspertëve.
Është provuar dhe nga pajisja elektronike e identifikimit që në Gjirokastër ashtu si edhe në Berat por dhe në të gjitha qarqet e vendit një person ka votuar më shumë se një herë, duke delegjitimuar procesin e 25 prillit.
Këto fakte, të deformimit të vullnetit të qytetarëve, të mohimit të të drejtës për të votuar por dhe të votimit në emër të personave të tjerë tregojnë qartë se 25 prilli është një masakër e vërtetë elektorale e cila filloi para ditës së zgjedhjeve, u ekzekutua ditën e zgjedhjeve dhe vazhdon të shkatërrohet hapur në sy të të gjithë shqiptarëve.
Asnjë hap pas nuk do të ketë dhe Lëvizja Socialiste për Integrim do t’i shkojë deri në fund betejës për zbardhjen e së vërtetës për të çuar në vend vullnetin e qytetarëve.