Braimllari: Vendit i duhet një President që s’është pjesë e pazareve të mazhorancës
Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Endrit Braimllari, thotë se palët politike nuk po japin sinjale se duan bashkëpunim për zgjedhjen e Presidentit. Për të Presidenti Meta gjatë 5 viteve në Presidencë ka sjellë një standard tjetër në atë zyrë, duke shtuar se ka fituar të gjithë betejat që ka pasur më qeverinë.
”Duhet të kuptojmë se palët në këtë situatë nuk ofrojnë sinjale që duan një bashkëpunim për kreun e shtetit. Pozicioni i kreut të shtetit është shumë i rëndësishëm, por ka të bëjë edhe me mënyrën se si do të zgjidhet. Duhet të kemi bindje të plotë se në këto 5 vite që Meta ka qenë president ka sjellë një standard tjetër në atë zyrë. Ai ka qenë në një betejë në mbrojtje të interesit publik, në mbrojte të Kushtetutës dhe në këto kushte duke pasur një president të tillë, është shumë e vështirë që presidenti pasaardhës të jetë një hap më lartë se presidenti aktual. Meta i ka dhënë pozicionin e duhur kreut të shtetit. Meta ka fituar të gjithë betejat që ka pasur me qeverinë”,-tha për ”Ora News”.
Sipas tij, duhet që në krye të shtetit të jetë një person që nuk është pjesë e pazareve të mazhorancës. ”Unë e gjykoj shumë të rëndësishëm një kryetar shteti që nuk është pjesë e pazareve të mazhorancës. Shqiptarët nuk ka nevojë për një president që del si pasojë e pazareve të nëndheshme të mazhorancës”.