Braimllari: Zbuluam se PD nuk punoi për fitoren e opozitës
Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Endrit Braimllari, thotë se zgjedhjet në strukturat drejtuese të partisë janë shtyrë deri në finalizimin e analizës së humbjes në garën e 25 prillit.
“Nuk kemi dashur ta themi, por kemi zbuluar se ka pasur deputetë të Partisë Demokratike, por edhe lidershipi i saj, që nuk kanë dashur fitore të opozitës, por kanë punuar për interesat e tyre personale”, tha Braimllari për ”A2cnn”.
LSI ka lënë një derë hapur për rikthimin e Ilir Metës në krye të saj, pasi të përfundojë mandatin presidencial verën e ardhshme. “Kemi një tur takimesh, me qëllim për të pasur një proces zgjedhor të saktë. Meta e zgjedh vetë se çfarë do të bëjë, por ai është themelues i LSI-së”.
Po ashtu Braimllari thekson se Lëvizja Socialiste për Integrim është e vendosur të vijojë aksionin e saj opozitar në Parlament, me nisma konkrete ligjore.