Brenda pak orëve 4 kandidatë të Alibeajt tërhiqen nga gara e 14 Majit
Një situatë e paprecedentë po ndodh me PD-në zyrtare. Deri në këto momente janë 4 kandidatë që janë tërhequr nga gara për zgjedhjet lokale të 14 Majit, në një kohë që dje ishte afati i fundit për dorëzimin në KQZ të emrave për kandidatët për kryebashkiakë dhe për këshilltarët bashkiakë.
Fjala është për kandidatët: Sandër Marku në Lezhë, Genc Doçi në Kurbin, Gjergji Gjata në Korçë dhe Bujar Vreto në Librazhd. I pari që konfirmoi zyrtarisht tërheqjen nga gara për zgjedhjet lokale është Gjergji Gjata, së bashku me 40 kandidatët për Këshillin Bashkiak.
Kjo sigurisht është një situatë e padëgjuar më parë, dhe mesa duket as vula e PD-së nuk josh kandidatët për tu futur në garë. Kreu i komanduar i PD-së, Enkelejd Alibeaj gjithsej ka dorëzuar në KQZ 17 emra kandidatësh, të cilët asnjëherë nuk i ka bërë publikë për mediat.
Gjatë prezantimit të kanditatit për Tiranën, Roland Bejko, ai theksoi se deri në afatet e fundit grupimi i tij dorën e ka pasur të shtrirë për grupimin e Rithemelimit. Alibeaj po ashtu tha e se vijon të mbetet i mendimit që grupimi i tij duhej të kishte 61 përfaqësues në zgjedhjet vendore.