Bruksel/ Nis takimi Kurti-Vuçiç, pjesë edhe përfaqësues të lartë të Bashkimit Europian
Sot është një ditë historike për dialogun Kosovë-Serbi, edhe pse tensionet vijojnë të jenë të larta. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç kanë filluar takimin e nivelit të lartë në Bruksel. Pjesë e takimit është edhe shefi i Politikës së Jashtme, Josep Borell dhe Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politika të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Josep Borrell ka folur në një konferencë për media para takimit që do të mbahet me ndërmjetësimin e BE-së në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç. Borrell ka deklaruar se në takimin e sotëm i pranishëm do të jetë edhe emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, derisa, takimin Kurti-Vuçiç e ka lidhur edhe me vizitën e presidentit amerikan në Bruksel.
”Sot, së bashku me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, ne do të mbajmë një takim të ri të nivelit të lartë të dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës. Mua më vjen mirë që kjo po ndodh në të njëjtën kohë kur Bashkimi Evropian do të takohet me presidentin Biden, këtu në Bruksel”.