Budina në protestë: Koha për radikalizim, të ngulemi këtu deri sa të arrihet qeveria teknike. Rama nuk dorëhiqet
Ka nisur protesta e thirrur nga PD para Kryeministrisë, dhe fjalën i pari në podium e ka marrë regjizori i njohur Edmond Budina, ku fjalimi kishte disa pika kryesore që janë: lirimi i Berishës, qeveri teknike pa Edi Ramën, zgjedhje të lira, dhe që opozita duhet të frymëzojë dhe të ngrejë popullin në këmbë.
”Ky pushtet e ka nëpërkëmbur qytetarin, dhe skandalet janë bërë normalitet. Skandali tek Onkologjiku, por kanceri i vërtetë është kjo qeveri, që po i merr frymën këtij vendi. Rama nuk e jep dorëheqjen”.
Po ashtu ai foli edhe për SPAK, për të cilin tha se peshkaqenët e vërtetë nuk i arreston, por ka çuar në burg disa çiroka. ”Çfarë bën SPAK, drejtësia? Fut në burg cironka, peshkaqenët janë këtu duke vazhduar të vjedhin e pasurohen. SPAK hesht! Përkëdhel hajdutët dhe mban në burg liderin e opozitës”.
Nga ana tjetër, Budina bëri thirrje për radikalizim të protestës. ”Boll më me fjalime, me fjalë të urta. Greva, mosbindje civile, të ngulemi këtu deri sa të arrihet qeveria teknike”.