Bujar Luca sjell ekspozitën retrospektivë të krijimtarisë së tij artistike, Rama: Pa ty kjo histori do ishte më e varfër
Qendra për Hapje dhe Dialog (COD), në Kryeministri u kthye këtë mbrëmje në hapësirën promovuese për një tjetër artist shqiptar, Bujar Lucën, i cili vjen për herë të parë në këtë hapësirë pas 33 vitesh jetese në Francë, me ekspozitën e tij “Të prekësh të padukshmen”, ku ekspozohen 71 vepra arti, të mediumit pikturë, vizatim dhe grafikë, të përzgjedhura, si një retrospektivë e krijimtarisë së tij artistike. Në çeljen e ekspozitës përshëndeti edhe kryeministri Edi Rama, i cili vlerësoi talentin dhe kontributin e artistit në historinë bashkëkohore të arteve pamore shqiptare. “Ti je një nga ata të cilët i japin historisë bashkëkohore të arteve pamore shqiptare diçka pa të cilën kjo histori do ishte më e varfër”,-u shpreh kryeministri Rama. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun, në datat 02 nëntor – 30 dhjetor 2023.
Fjala e plotë e kryeministrit Edi Rama
Mirëmbrëma, mirë se erdhët! Më vjen shumë mirë që sot këtu jemi së bashku për këtë ekspozitë retrospektive të Bujarit. Është një ide që në të vërtet lindi kur ishim së bashku në Paris dhe Bujari e priti me kënaqësi ftesën që konsideronte mundësinë e një ekspozite të tillë, por unë nuk e kisha menduar që do të sillte këtu punë nga gjithë trajektorja e tij dhe faktikisht në sallën e vogël gjenden punët e bëra shumë vite më parë, kur Bujari i krijonte në shtëpinë e tij të vjetër tironse me pus e me carac, aty dhe ku patëm mundësinë të takoheshim përpara rënies së diktaturës gjatë një vizite të parë që një delegacion i huaj bëri në Akademinë e Arteve, pjesë e të cilit ishte edhe botuesi, apo kryeredaktori i revistës së njohur të artit Connaissance des Arts, i cili i kushtoi një reportazh të tërë krijimeve tona të asaj kohe dhe u bë si të thuash edhe ajo pika e parë e kontaktit konkret, fizik me botën e artit përtej mureve brenda të cilave ne zhvillonim aktivitetin tonë.
Pastaj Bujari zgjodhi të ikte, për hir të vërtetës mua më kujtohet se qysh përpara se të hapeshin rrugët për t’u larguar, Bujari ishte shumë i lidhur dhe shumë i pasionuar pas Francës dhe kulturës franceze dhe mbi të gjitha pas impresionistëve, post impresionostëve, gjë që vihet re në punët që janë atje në sallën e vogël, si një influencë malinje për atë kohë dhe gjatë qëndrimit të tij në Francë ai me natyrën e tij të përmbajtur, meditative, pazhurmë, pa kërkuar asnjëherë asgjë nga askush, hapi dalë nga dalë një rrugë, një stacion shumë i rëndësishëm i të cilës është besoj unë pjesa qendrore e ekspozitës, ku në një farë mënyre fillojnë dhe bëhen bashkë, qoftë kujtimet e të shkuarës së largët, qoftë njohjet e reja apo afrimet e reja me eksperienca artistike që në dukje janë dy ekstreme, por në të vërtetë janë pjesë e të njëjtës qasje ndaj sipërfaqes së bardhë. Flas për eksperiencën e artit të vjetër dhe të ri, kinez, japonez, aziatik që është shumë i lidhur me shenjën edhe me transpozimin e gjuhës së shkruar përmes hieroglifëve, në një ushtrim të menjëhershëm artistik dhe në ekstremin tjetër furia e lëvizjes “action painting”, Jackson Pollock edhe të tjerë, që në një farë mënyre në punën e Bujarit fillojnë edhe shkrihen te njëra-tjetra duke krijuar një identitet dhe një origjinalitet të ri.
Ajo që më shtyu ta bëjë këtë parantezë ndoshta pak të gjatë të natyrës krejt profesionale lidhet me diçka tjetër; lidhet me raportin e Bujarit me pikturën, raportin e Bujarit me telajot, sipërfaqet e letrës apo sipërfaqe të tjera me të cilat ai e ushtron profesionin e tij, që në njëfarë mënyre është mishërim i raportit të tij me jetën dhe me shoqërinë në një kohë, e cila ka shumë tundime, ka shumë zhurmë, ka shumë mundësira, por dhe shumë shtigje dhe rrugë që mund të merren.
Bujari ka vazhduar t’i qëndrojë shumë besnik diçkaje që unë në fakt e kisha të vështirë ta formuloja, por e formuloi Bujari në fjalët e tij, kur tha realiteti i idealit tim dhe besoj që në njëfarë mënyre punët e tij janë dhe autoportrete shpirtërore të tijat, të cilat flasin shumë për atë që Bujari është në raport me pasqyrën dhe në raport me mjedisin apo botën.
Dua të shtoj vetëm një komponent që përsëri lidhet me atë çfarë po them, që ka të bëjë me aktivitetin e Bujarit jashtë studios, i cili është një aktivitet i jashtëzakonshëm në një vend që është shumë i pasur në traditë, por është dhe shumë i pasur në burime njerëzore kur flasim për operan, kur flasim për teatrin.
Bujari është vendosur vetvetiu në një pozicion shumë të respektuar dhe është thirrur për të bashkëpunuar dhe për të kontribuar për një numër të madh shfaqjesh në operan Garnier që është një tempull i ri i muzikës operistike në Paris apo në shfaqje që shkojnë nga klasikja deri tek ato më kontemporane, duke bashkëpunuar me regjisorë shumë të njohur deri tek regjisori, koreografi Angjelin Preljocaj dhe përsëri fakti që në këtë aktivitet jashtë studios Bujari ka shkëlqyer, lidhet me zotërimin e asaj që duket shumë qartë në të gjitha punët e tij, që është gjesti i shenjës, për një gjest shenje që nuk vjen në mënyrë sipërfaqësore, por që vjen nga një formim akademik, nga një formim i thellë, gjë që mund të shihet në hyrje të asaj sallës së vogël që po e përmend për të tetën herë sepse aty është fillesa dhe tek disa vepra figurative, duke filluar nga një portret, nga një vizatim që në pamje të parë duket që nuk ka asnjë lidhje me çfarë shohim këtu, por në fakt është fillesa e asaj që shohim këtu dhe kjo është diçka që më duket mua është karakteristikë e disa artistëve të mëdhenj shqiptarë sot, ndër të cilët padiskutim renditet dhe Bujari në skenën ndërkombëtare, të cilët edhe kur shkojnë në rrugë, që janë në dukje krejtësisht pa asnjë lidhje të drejtpërdrejtë me mjeshtërinë dhe gjestin e shenjës siç është për shembull video arti, kam parasysh Anri Salën, veprat e tyre bëjnë një diferencë në raport me ato të kolegëve të së njëjtës fushë dhe të njëjtës rëndësi po themi në skenat artistike sepse tek to, ti sheh se ka brenda diçka që e tejkalon kohën dhe që vjen pikërisht sipas meje nga të brumosurit me klasiken për arsye që ne i dimë dhe pastaj të pjekurit të këtij brumi në botën konteporane.
Ndjesë për zgjatjen, por realisht e kisha të nevojshme t’i thosha këto fjalë, të them të drejtën në mënyrë pak egoiste, më shumë për Bujarin sesa për ju. Ju keni ardhur për ekspozitën, nuk keni ardhur për mua. Mua më dëgjoni në të gjitha versionet dhe mund të më keni befasisht edhe si zile në alarmin kur të zgjoheni. Por, ndjesën e kam të nevojshme sepse ju mora kohë, i mora kohë dhe shijimit të ekspozitës, besoj me një arsye që më falet, por dhe po s’ma falët, unë nuk ju kërkoj më shumë falje se kaq.
Dhe dua ta falënderoj shumë Bujarin, sinqerisht. Dua ta falënderoj sepse ka bërë një investim në kohë, ka bërë një investim në energji, ka menduar seriozisht dhe thellësisht për këtë ekspozite dhe ka bërë dhe një investim në hamallëk po themi, sepse ka paketuar dhe transportuar gjithë këto punë, gjë për të cilën nuk e ka paguar qeveria që të jemi të qartë. Është larg së qenit një artist qeveritar apo i oborrit të pushtetit siç në fakt janë shumë ose pothuajse të gjithë nga ata që ekspozohen këtu dhe do doja të shikoja shumë të tjerë që të vinin këtu, mund të vijnë të bëjnë dhe protesta kundër qeverisë këtu dhe sallën e marrin pa qira.
Por, realisht Bujar shumë shumë komplimente dhe shumë faleminderit dhe më beso nuk është një fjalë xhentile për një mik këtu, në këtë hapësirë, që i duhen thënë disa fjalë të mira, por është një fjalë shumë e sinqertë dhe unë i besoj vërtetë të gjitha këto që po them dhe ti je një nga ata të cilët i japin historisë bashkëkohore të arteve pamore shqiptare diçka pa të cilën kjo histori do ishte më e varfër. Shumë faleminderit!