Bujar Nishani: Na kanë përgjuar të gjithëve
Presidenti Bujar Nishani thotë se janë përgjuar të gjithë. Duke folur në një intervistë për Çim Pekën, Nishani është shprehur se denoncimi i Tahirit për përgjimin, është një tentativë për të shmangur thelbin e debatit.
“Unë ende nuk mund të them se është një skandal por informacionet konfirmojnë futjen e një pajisje që ka të gjitha parametrat për të kryer përgjime të sofistifikuar.
Deklarata e Tahirit për përgjimin është tentativë për të shmangur thelbin e debatit”, ka thënë Nishani.
“Pajisja siç është shprehur shefi i SHISH përbën cënim të sigurisë kombëtare. Ajo pajisje duhet të hyjë në Shqipëri vetëm sipas procedurave. Ajo aparaturë është future pa u deklaruar, pa u marrë leje dhe pa u përcaktuar. Për cfarëdo që është përdorur ajo duhet të dorëzohet në Prokurori por kjo nuk po ndodh”.
Nishani tha më tej se “ne e kemi të konfirmuar ligjërisht që ajo aparturë është përdorur në mënyrë të paligjshme. Unë si komandant i Forcave të Armatosur pres që Prokuroria të nxjerrë fajtorët për shkeljen e ligjit”.
Ndërkohë, Nishani do të padisë për shpifje në Gjykatën e Lartë deputetin socialist Alfred Peza për deklaratat e tij se presidenti ka qenë një nga anëtarët e grupeve enveriste të “Shkollës së Bashkuar”.
Duke folur për herë të parë për këtë nismë, Nishani shpjegoi se:
“Ka patur një akuzë nga deputeti që pretendon se në ngjarjet e Shkollës së Bashkuar unë paskam qenë në krahun e enveristëve.
Në ato ngjarje unë kam qenë pedagog në Shkollën e Enveristëve, jo vetëm që kam qenë neutral por kam qenë aktiv në kundërshtim me enveristët që më përndoqën në vitin 1997.
Kjo është një akuzë që nuk i takon integriteti të deputetit dhe që bëhet për të dëmtuar presidentin e Republikës. Unë nuk jam avokat i Pezës. Mesa di unë z. Peza ka qenë në detyrë në Shkollën e Bashkuar”.
Nishani është shprehur mjaft i skadalizuar edhe për deklaratat e kryebashkiakut Veliaj që e akuzon atë si “hajdut pronash”.
“Sa i takon Veliajt që ajo që ka thënë ai, nuk mund të imagjinohet. Përderisa është bërë një akuzë e tillë shqiptarët nuk mund të kenë kurrë një president që vjedh prona. Gjithësekush duhe të marrë përgjegjsitë.
Nëse gjykata do të shikojë provat dhe do verifikojë që unë kam vjedhur unë nuk mund të jem më president. Por nëse dikush bën akuza të tilla monstruoze, duhet të mbajë përgjegjësi ligjore”, ka deklaruar Nishani.
Ai sakaq ka këmbëngulur se hetimi ndërkombëtar për këndin e lojrave tek parku i liqenit në Tiranë do të bëhet patjetër, në të kundërt Konventa Europiane ku bën pjesë Shqipëria nuk do të ekzistojë për vendin tonë.
Nishani tha se për ndërtimin e këndit të lojrave janë shkelur të paktën dy prej kolonave të Konventës ku bën pjesë Shqipëria.
“Kemi një realitet të dhimbshëm të tendencës për të marrë vlerë dhe neve duhet t’i përshtatemi realitetit. Nuk është ironi e kryeministrit, është injorancë. Injoranca nuk ka bri. Ne kemi problerme me formimin e përgjithshëm që marrin vendimmarrje.
Shqipëria është që nga viti 2000 nënshkruese e Konventës së Mjedisit. Respektimi i ligjit po tentohet të interpretohet si një gjë e parëndësishme. Ky është problem shumë i madh. I nënshkruajmë konventat europiane dhe themi nuk i zbatojmë. Në rastin e betonizmit të parkut të liqenit është shkelur në dy prej kolonave kryesore të saj dhe konventa ka prodhuar një mekanizëm për të monitoruar nëse kolonat përbërëse të konventës respektohen.
I kam kërkuar këtij mekanizmi që të hetojë ndërtimin. Dhe ai hetim do të bëhet. Ose do të bëhet ai hetim ose Konventa nuk ekziston më për Shqipërinë”, tha Nishani.
KOHA JONË SONDAZH

