Bujar Nishani: Të ringremë PD-në, për të shpëtuar Shqipërinë!
Nga Bujar Nishani
Nëse ka një njeri në Partinë Demokratike sot, që ka vënë interesin e tij personal mbi interesin e Partisë dhe mbi interesin e demokratëve të këtij vendi, ai është Lulzim Basha.
Jo vetëm kaq !
Lulzim Basha ka keqpërdorur sakrificat, vuajtjet, dhunimin e anëtarëve të Partisë Demokratike për interesin e tij personal.
Këto nuk janë akuza politike por fakte fatkeqe.
A nuk i la Lulzim Basha, demokratët 12 (dymbëdhjetë) vite në opozitë?
A nuk janë penalizuar demokratët e këtij vendi, duke i lënë pa punë, pa bukë, pa shërbime për faktin e vetëm se janë demokratë e konsiderohen si armiq nga pushteti i Edi Ramës?
A nuk sulmohen, shantazhohen e gjobiten pa fund demokratët e këtij vendi edhe në bisneset e tyre familjare me të cilat veç mbijetojnë, vetëm për shkak të përkatësisë së tyre politike?
A nuk grabiten, shemben e rrënohen shtëpitë dhe bisneset e demokratëve pa kurrfarë ligji, të drejte e proçesi, prej rregjimit për t’jua dhënë tokën, pasurinë e tyre klientëve dhe grabitqarëve të qeverisë ?
A nuk është krijuar bindja totale tek e gjithë shoqëria, se me Lulzim Bashën nuk fitohen kurrë zgjedhjet?
Në këto të vërteta të mëdha, Lulzim Basha nuk tërhiqet, ti hapë rrugën një projekti të ri politik në Partinë Demokratike, por mban me çdo kusht e çdo çmim karrigen e tij, duke vënë mbi gjthshka interesin e vet personal!
Kur ky interes i tij personal shkon drejtpërdrejt në shërbim të interesit të rregjimit të Edi Ramës, duke përjetësuar pushtetin e tij mbi demokratët, ky interes i Lulzim Bashës bëhet edhe i poshtër!
Të ringremë PD, për të shpëtuar Shqipërinë!