Bujar Spahiu: Le të shërbejë kjo festë si fillimndryshim i madh për ne

Në Tiranë, qindra besimtarë myslimanë falën Namazin në sheshin “Skënderbej”, por edhe në xhamitë e tjera të kryeqytetit.

Në faljen e Kurban Bajramit, kreu i Komunitetit Mysliman, Haxhi Bujar Spahiu ka uruar besimtarët myslimanë duke u shprehur se është një festë që na kujton se sa i lartë duhet të jetë devocioni i njeriut ndaj Zotit, “festën që simbolizon sakrificën dhe bindjen e njeriut ndaj Zotit dhe mëshirën e pamatë që krijuesi ka për krijesën tij më të lartë, që është njeriu.

Kurbani është një festë në të cilën në çdo zemër e vatër duhet të hyjë gëzimi, dora e solidaritetit dhe përkrahjes.

Kreu i Komunitetit Mysliman, Haxhi Bujar Spahiu në fjalën e ti para qindra besimtarësh, mest të tjerash shtoi:

Sot në vendin tonë dhe mbarë botën kremtohet Kurban Bajrami,
Kjo është një ditë që na sjell në kujtesë njerëz të mëdhenj dhe ngjarje të paharruara, të cilat shënjuan e përcaktuan historinë e njerëzimit.
Kjo ditë na rikujton Ademin as, Nuhun, Ibrahimin, Ismailin, Musain, Isain dhe Muhammedi (a.s.), këta nuk janë thjeshtë figura historike, këta janë të dërguar të Zotit, me të cilët është i lidhur ngushtësisht fati i gjinisë njerëzore.
Xhebelu-l-Rahmeh, Arafati, Mekami Ibrahim, Sinaji, Kudsi, Meka dhe Medineja, Qabeja e madhnueshme, janë vendet e ngjarjeve që tregojnë rrugën deri te ekzistenca e njeriut nën udhëzimin dhe mëshirën e Zotit (xh.sh.).
Motra dhe vëllezër,
Kurban Bajrami është dita e falënderimit dhe e gëzimit.
Falënderimin ia kemi borxh Krijuesit, i cili na jep jetë e gjallëri dhe na jep fuqi që të jetojmë me besim e shpresë. Gëzimin e ndjejmë nën mëshirën e Tij të pakufijshme, që shprehet në dritën e ditës së sotme dhe në bashkimin e mendimeve tona.
Të vërtetën ia kemi borxh vetes, drejtësinë ia kemi borxh të tjerëve, ndërsa paqen e bashkëjetesën ia kemi borxh veteve tona dhe popullit tonë.
Kurani, Haxhi dhe Kurbani janë trinomi përmbajtësor i kësaj dite.
Ato paraqesin tre ideale të larta të Islamit.
1-Kurani paraqet udhërrëfimin, arsimimin dhe devotshmërinë
2-Haxhi solidaritetin dhe barazinë
3-Kurbani – sakrificën
Gjatë gjithë historisë, gjëja më e rëndësishme për njeriun ka qenë njohja, ose thënë ndryshe dituria.
Sa më e lartë shkalla e njohjes dhe diturisë, aq më i lartë është edhe devocioni e njohja e Zotit.
“”Thuaj, o Muhammed, a mund të jenë njësoj ata që dinë me ata që nuk dinë”, – thotë Zoti në Kuran.
Prandaj dhe ata që i kushtojnë vëmendje diturisës së dobishme, nuk arrijnë vetëm në majën e piramidës sociale të kësaj bote, por edhe në botën tjetër po ashtu.
Motra dhe vëllezër,
Nuk është qëllimi im sot të them një gjë që e dini të gjithë. Qëllimi im është ta përsëris dhe të them se nga ku buron kjo gjë.
Është porosi hyjnore të kërkuarit e diturisë dhe shfrytëzimi i mendjes për të prodhuar dituri potenciale, e cila do të ishte në gjendje të transformohej në dituri aktive dhe kreative me përfitime vetjake e shoqërore.
“Dijetarët janë trashëgimtarët e profetëve të Zotit”,- thotë Muhamedi a.s.
Çfarë e bëri Ibrahimin a.s. të bindej për sakrificën që iu kërkua?
Dogma??? Jooo!
E bëri shkalla e lartë e njohjes për Zotin, Krijuesin e gjithësisë.
Kjo vlen edhe Ismailin a.s gjithashtu.
Ata e dinin se Zoti është i mëshirshëm,
Ata e dinin se Zoti e do krijesën e tij më të lartë, njeriun.
Ata e dinin se Zotin nuk i bën padrejtësi njeriut…e kjo e bëri Ibrahimin të mbante premtimin e Ismailin të pranonte vediktin.
Dhe ndodhi ashtu siç ata e njihnin Zotin, tek ai nuk shkon as mishi, as gjaku, por devotshmëria e robit.
Të dashur besimtarë,
Për gjithë sa thamë në lidhje me dijen, inkurajimin që na bën feja për të nxënë, ne duhet të dimë se vetëm të nxënit për veten tonë nuk mjafton.
Dituria duhet shpërndarë. Duhet të flasë e të veprojë.
Njerëzit e ditur janë busulla e një kombi!
Nga dijetarët e intelektualët kërkohet të flasin më shumë, duhet të dëgjohet zëri i tyre, mendimi dhe qëndrimi i tyre, sepse kjo është në dobi të të gjithë njerëzve. Kështu merr kuptim edhe dija e tyre, kështu vlen.
Në qoftë se ata heshtin, hesht njerëzimi ose flasin ata që nuk dinë.
Dhe ju e dini se shenjë e shkatërrimit të kësaj bote është kur flet i pa dituri ndërsa hesht i mençuri.
Mendimet e intelektualit, dijetarit, nuk duhet të jenë të programuara me interesat e individëve apo grupeve madje as me interesat personale.
Ata duhet të flasin për hir të së vërtetës dhe drejtësisë, për hir të atdheut, kombit dhe ata duhet të jenë inkurajuesit dhe luftëtarë të këtyre idealeve.
Motra dhe vëllezër,
Në Lindjen e Mesme, në Gaza, në Ukrainë ka luftë. Kjo është një çështje që ne nuk e zgjidhim dot, por që na brengos dhe ne brengën duhet ta themi.
Çështja e paqes dhe e pajtimit të njerëzve është çështje e shpirtit njerëzor.
Nuk duhet filozofi e madhe për të treguar sa e keqe është një luftë. Vetëm duke i parë nëpër media, pa e patur pranë është e mjaftueshme për ata që kanë mend të kuptojnë sa fisnik është ai zë i cili ngrihet në mbrojtje të paqes dhe marrëdhënieve të mira ndërmjet popujve, feve dhe racave të ndryshme.
Të nderuar vëllezër, sot, pra, është dita e sakrificës. Ajo është karakteristikë e këtij Bajrami. Pa sakrifica nuk ka ngritje dhe progres.
Për parimin e bashkëjetesës, për atë që të realizohet atmosfera e lirisë dhe e dashurisë, shumë popuj të botës kanë bërë sakrifica të mëdha. Pa sakrifica nuk mund të ketë as vepra të mëdha.
Njerëzit do të bëhen të shquar dhe të pavdekshëm vetëm nëse janë të gatshëm të sakrifikojnë, ndërsa popujt bëhen të mëdhenj dhe të fuqishëm vetëm nëse stolisën me virtyte e ndjenja sakrifikuese për të mirën e përgjithshme për të mirën e kombit, të atdheut, të njerëzimit.
Kjo është ngritja e njeriut deri tek dashuria më e lartë, dashuria që shkrin çdo dashuri tjetër, deri te vullneti i çeliktë i cili eviton çdo gjë që rrezikon dorëzimin e plotë ndaj Zotit.
Ai na jep çdo të mirë, e ne në shenjë mirënjohjeje falim namaz dhe presim kurban, japim zekat e kryejmë haxhin.
Përkujtimi ynë është sakrifica dhe bindja e Ibrahimit e Islamili (a.s.) këtë përkujtim do ta trashëgojmë për brezat e ardhshëm.
Nga sa u tha më lartë, mund të konkludojmë që sakrifica është ajo rruga kryesore, e cila çon te mëshira e Zotit, pse jo edhe te miqësia e Zotit, ashtu si e fitoi Ibrahimi (a.s.) dhe u bë Halilullah (Mik i Allahut).
Prandaj dëshiro për tjetrin atë çfarë i dëshiron vetvetes!
Ji përkrahës i tjetrit, se edhe ai do të jetë përkrahës i yti!
Vepra më e dashur për Zotin është që njeriu ta gëzojë tjetrin!
Virtyti më i mirë i Bajramit është që t’i përtërish lidhjet e shkëputura më farefisin dhe miqtë, që t’i dhurosh atij që të ka hidhëruar, që t’ia falësh atij që të ka bërë padrejtësi!
Motra dhe vëllezër,
Festat janë momente të rëndësishme për ta bërë shoqërinë të ndjejë se ka fuqinë e mjaftueshme për t’i ndryshuar ditët.
Le të shërbejë kjo festë si fillimndryshim i madh për ne, si një pikënisje për reformim shpirtëror dhe kulturor, duke u bërë më të përkushtuar për Krijuesin dhe më të lidhur me njëri-tjetrin.
Kështu, duke pasur Krijuesin synim dhe duke parë në tjetrin përgjegjësi, ne mund të kthehemi në shoqëri shembullore, në shoqëri ku vlerat janë imazhi më i theksuar i saj.
Ndryshe, nëse festat zhvishen nga këto synime e këto mësime, ato tkurren në manifestime të pakuptimta që nuk tregojnë më shumë se thjesht një datë në kalendar, pa asnjë dobi a ndikim në jetën tonë individuale dhe shoqërore.
Qoftë gëzim e udhëzim për ne kjo festë!
Mbylli fjalën e tij kreu i Komunitetit Mysliman, Haxhi Bujar Spahiu.

SHKARKO APP