Bulku: Fuqizimi i rolit të grave dhe vajzave të reja, element i spikatur që renditet në prioritetet e LSI
Kandidatja për deputete e LSI-së në qarkun e Durrësit, Berinda Bulku thotë se fuqizimi i rolit të grave dhe vajzave të reja, element i spikatur që renditet në prioritetet e LSI-së. ”Një grua e fortë është e pavarur, energjike, pozitive, kujdeset për veten dhe të tjerët, ruan identitetin e saj dhe kontribuon. Ajo është një burim i pashtershëm frymëzimi për ata që e rrethojnë. Po përjetojmë një periudhë të vështirë, ku reflektimi i së tashmes na trishton e na venit shpresën, kurse ai i së ardhmes na tremb”.
Mesazhi i plotë
Familja është gjëja më e çmuar që kemi në jetë. Brenda saj gjejmë dashurinë, respektin, mirëkuptimin, durimin, përkujdesjen, sakrificën. Shpeshherë këto vlera mishërohen me nënën, me gruan. Fuqizimi i pozitës së saj në shoqëri dhe në biznes është në fokus të forcës politike që përfaqësoj.
Një grua e fortë është e pavarur, energjike, pozitive, kujdeset për veten dhe të tjerët, ruan identitetin e saj dhe kontribuon. Ajo është një burim i pashtershëm frymëzimi për ata që e rrethojnë. Po përjetojmë një periudhë të vështirë, ku reflektimi i së tashmes na trishton e na venit shpresën, kurse ai i së ardhmes na tremb.
Gjithsecila prej nesh do të donte një jetë më të mirë për familjen e saj, një të ardhme më të sigurt për fëmijët e saj. Prandaj është e domosdoshme të përzgjedhim alternativën që synon suksesin e gruas, si një potencial i jashtëzakonshëm dhe i pazëvendësueshëm. Ajo që përpiqet për të mirën dhe dinjitetin e familjes, përpiqet për të mirën e të gjithë shoqërisë.