Bullgaria propozon nisjen e negociatave të Shqipërisë me BE, Presidenti Meta: Inkurajoj çdo hap

Pas një ngërçi me Maqedoninë e Veriut, tani Bullgaria propozon nisjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Presidenti Ilir Meta thotë se do të vazhdojë të mbështes dhe të inkurajojë çdo hap që do të na çojë drejt anëtarësimit të plotë europian. ”Mbetem me bindjen e plotë se Maqedonia e Veriut ka bërë përparim të jashtëzakonshëm qoftë me zbatimin e reformave, qoftë me arritjen e një Marrëveshjeje historike si ajo e Prespës”,-shkruan Meta në facebook.

Postimi i plotë nga Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta

E përshëndes qëndrimin e Bullgarisë, që propozon nisjen sa më parë të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Përparimi i secilit vend në bazë të meritave individuale ka qenë një nga parimet kyç të miratuara në Samitin e Selanikut në vitin 2003.

Do të vazhdoj të mbështes dhe inkurajoj çdo hap, që na çon sa më parë drejt anëtarësimit europian, në përmbushje të objektivit tonë strategjik kombëtar.

Mbetem me bindjen e plotë se Maqedonia e Veriut ka bërë përparim të jashtëzakonshëm qoftë me zbatimin e reformave, qoftë me arritjen e një Marrëveshjeje historike si ajo e Prespës.

E përshëndes qëndrimin dinjitoz të autoriteteve maqedone për të vijuar të palëkundur në kursin pro-europian të reformave që u shërbejnë qytetarëve dhe aspiratës për anëtarësim në BE.

SHKARKO APP