Bumçi nga Shkoza: Kjo që po bën Rama është kafshëri
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi ka shkuar edhe sot në mbështetje të banorëve të Shkozës, ku IKMT në bashkëpunim me Policinë po shemb tre shtëpi në gjurmën ku do të kalojë Loti III i Unazës Lindore të Tiranë.
Ish-deputeti u doli në krah banorëve që po kundërshtojnë Policinë dhe nuk pranojnë të dalin nga banesat pa u kompensuar. Bumçi theksoi se këta banorë, edhe pse të palegalizuar, janë njohur nga shteti kaq vite përderisa kanë paguar taksa, ndaj edhe Gjykata e Strasburgut ka vendosur në favor të tyre: Të kompensohen, pastaj të shemben shtëpitë. Por, kjo që po ndodh, me urdhër të Ramës, është diktaturë, është kafshëri.
“Ky njeri jep 20 milionë euro për 1 km rrugë dhe nuk jep një 1 milion për shtëpitë që shemben. Vendimi i Gjykatës së Strasburgut nuk lidhet me shtëpitë e legalizuara, por me shtëpitë e palegalizuara që kanë mbi dhjetë vjet. Këto familje kanë 25 vjet këtu dhe shteti i ka njohur, kanë paguar taksa.
Shtëpia nuk mund të shembet pa e kompensuar.
Rama ka nxjerrë ligje që një banori që ka 500 metra në bregdet t’i merret toka për “investime strategjike” dhe t’i jepet dikujt tjetër! Pra, po ndodh kjo kafshëri në mes të Evropës.
Tek Astiri po ashtu, tek Bulevardi i Ri i nxori me gaz….Është kafshëri që po ndodh.
Te Astriti arritën të krijonin një frymë dhe ata qëndruan të gjithë bashkë, edhe pse atje ishin gjysma të legalizuar.
Kurse këtu vijnë e prishin tre shtëpi. Po pse, a mund të vazhdojë projekti me tre shtëpi?! Do të shembin sërish.
Unë mendoj se ekziston mundësia të mbrohen këta banorë, sepse ekziston vendimi i Gjykatës. Por, edhe t’i shkojmë Ramës para kryeministrisë e ta nxjerrim prej aty.
Kur janë prishur shtëpitë këtu?! Ka pasur kryeministra më parë dhe nuk kanë vepruar kështu.
Kafshëri! Si e lamë ne këtë njeri?! Pse erdhi kjo e keqe dhe po na detyron të largohemi nga ky vend më keq se sirianët?!”- u shpreh i revoltuar ish-deputeti.